Futjen në zgjedhje pa opozitën Lulzim Basha e quan një proces fasadë. Nga Fieri, kreu i opozitës i bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestën e 13 Prillit për të larguar atë që Basha e cilëson qeveri të krimit, që sipas tij ka humbur çdo legjitimitet moral e politik.

“Edi Rama dhe banda e tij e dinë fare mirë se zgjedhje palo-zgjedhje, zgjedhje false pa opozitën nuk ka për të pasur. Kauza e çlirimit të Shqipërisë nga banda e Edi Ramës është përqafuar nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, që i janë bashkuar thirrjes, kushtrimit dhe emergjencës kombëtare “Rama ik”.

Kryeministri Rama e akuzoi të enjten nga parlamenti se po pengon integrimin europian të Shqipërisë përmes baltosjes që po i bën vendit në kancelaritë europiane, por Lulzim Basha i kujtoi se pengesa e vetme janë lidhjet e qeverisë me krimin.

“Stabiliteti në Shqipëri është kërcënuar nga krimi i organizuar, në partneritet me qeverinë, Prandaj beteja jonë është e vetmja betejë për stabilitet të vërtetë dhe është një leksion për popujt e tjerë të Ballkanit, se ky vend edhe njëherë, do t’i prijë integrimit evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor, duke pranuar, imponuar dhe zbatuar asgjë më pak se standardet evropiane për qytetarët tanë dhe vendin tonë.”

Sipas Bashës të gjitha sondazhet tregojnë se PD-ja është forca e parë politike që gëzon besimin e shqiptarëve për t’iu përgjigjur krizës me një transformim të thellë politik dhe ekonomik.

Tv Klan