Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzon mazhorancën që opozita nuk u lejua të merrte fjalën në seancën parlamentare ku u votuan shkarkimet dhe emërimet e ministrave të qeverisë.

Gjatë fjalës së tij për gazetarët jashtë Parlamentit, kryedemokrati tha se opozita kishte planifikuar diskutime për ministrat e shkarkuar dhe për anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar.

Por, sipas Bashës, deputetët nuk u lejuan që të flasin nga kryetari i Kuvendit me urdhër të Kryeministrit Edi Rama. Basha akuzoi se sot qeveria pushoi së ekzistuari. Sipas kreut të Partisë Demokratike, vendi sot është në emergjencë kombëtare dhe qytetarët duhet të bashkohen kundër kësaj qeverie.

Por, i pyetur nga gazetarët se si do të ndodhë largimi i qeverisë, Lulzim Basha nuk dha asnjë përgjigje.

“Sot ishte akti i rënies së qeverisë. Për herë të parë në 28 vite demokraci, opozita kërkon debat parlamentar për t’i parashtruuar qytetarëve shqiptarë qëndrimin e saj dhe të vërtetën tronditëse pas këtyre emërimeve të kukullave të oligarkëve dhe kriminelëve me vulën dhe firmën e Edi Ramës. Asnjë nga arsyet nuk qëndron. Opozita parashtroi kërkesë. Asnjë rregulll nuk e pengon opozitën të marrë fjalën. Opozitën e pengon të marrë fjalën një kryetar kuvendi. Sot ne kemi qeveri të vdekur, kishim qeveri në koma që nuk qeveriste. Jemi në një gjendje emergjence kombëtare”

, u shpreh Lulzim Basha. 

/ tvklan.al