Basha: Sulmet kundër opozitës nuk i fshehin dot dështimet e Ramës



Basha: Sulmet kundër opozitës nuk i fshehin dot dështimet e Ramës

13:23 06/04/2020

Testimet janë bërë shkak për replika në distancë mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha. Ky i fundit në një reagim ripërsërit se “testimi masiv është e vetmja mënyrë për të zbuluar sa thellë është futur virusi në familjet tona. Pa testuar, pa gjurmuar, pa izoluar, pasojat do të jenë shumë të rënda!”

Sipas Bashës, Kryeministri po fshihet pas një komiteti teknik, me shpresë që njerëzit mos ta shohin se sa i papërgatitur është.

“Është përgjegjësi e qeverisë që të mbrojë shëndetin e njerëzve, të pajisë me mjetet e duhura ekipet mjekësore dhe të mbajë në këmbë ekonominë. Sulmet kundër opozitës nuk i fshehin dot dështimet e tij”, thotë Basha.

Më herët, duke iu përgjigjur opozitës, Rama reagoi duke thënë se “PD s’mund të japë mend as për tabelën e shumëzimit, jo më për strategjinë e testimit! Strategjia e testimit është detyrë e Komitetit Teknik që udhëheq luftën në vijën e zjarrit. Detyra e politikës, qeverisë a opozitës është të dëgjojë dhe mbështesë ekspertët. Të tjerat janë 7×7=42”./tvklan.al




Të ngjashme