Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të dhënë këtë të shtunë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Basha shkruan në rrjetin social Facebook, se ky nuk është vendim i drejtësisë, por vendim politik i Edi Ramës. Kreu i opozitës thotë se Saimir Tahiri duhet të ishte sot në qeli dhe jo në arrest shtëpie.

Statusi i Bashës në Facebook:

Arresti i shtëpisë i Saimir Tahirit nuk është vendim i drejtësisë, por vendim politik i Edi Ramës. Ky është dorëzimi i kontrolluar që paralajmëruam vetëm 3 ditë më parë, pjesë e paktit mafioz Rama-Tahiri.

Saimir Tahiri duhet të ishte sot në qeli dhe jo në arrest shtëpie. Qeveri partnere kanë sjellë javët e fundit të tjera prova që rikonfirmojnë se Saimir Tahiri ishte pjesë aktive e organizatës kriminale të Habilajve për trafikun e drogës.

Arresti i shtëpisë për Saimir Tahirin është mashtrimi i rradhës i Edi Ramës ndaj shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kjo është po kështu prova se lëvizjet e paligjshme në prokurori kanë për qëllim mbylljen e dosjes Tahiri.

Tahiri nuk burgoset dhe as nuk dënohet sepse e mbron dhe e ruan Rama. Sepse Tahiri dhe Rama janë një.

/tvklan.al