Kryetari i PD Lulzim Basha u takua sot me ministren austriake të BE dhe Kushtetutës, Karoline Edstadler të cilën e falenderoi  për ndihmën që Austria i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.

Zgjedhjet e 25 Prillin ishin tema qëndrore e bisedës mes tyre. Gjatë bashkëbisedimit me ministren austriake, Basha tha se qeveria tjetërsoi vullnetin e zgjdhësve në bashkëpunim me persona që janë nën hetim për përfshirje në krimin e organizuar.

Basha theksoi se procesi zgjedhor është manipuluar përmes shitblerjes së votës, përdorimit  të personave me precedentë kriminal, përdorimit të paligjshëm të administratës, vjedhjes dhe përdorimit kriminal të të dhënave personale të shtetasve nga PS, përdorimit të paligjshëm, masiv dhe sistematik të parave të buxhetit të shtetit për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve.

Gjatë takimit, Lulzim Basha e njohu ministren austriake dhe me faktin që PD dhe kandidatët e saj kanë depozituar në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve rreth 180 kallëzime. /tvklan.al