Angazhohet për përshpejtimin e integrimit

Në një takim që pati në Zagreb me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, kreu i opozitës Lulzim Basha u angazhua se pas 25 Prillit me të në qeveri do të ketë përshpejtim të procesit të integrimit.

“Për mua dhe për Partinë Demokratike, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa përshpejtimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë pas ngecjes në vendnumëro gjatë 8 viteve të këtij procesi. Për këtë arsye ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve. Kjo ka qenë në qendër të bisedës që kam zhvilluar me mikun tim, kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç”.

Basha tha pas takimit me kryeministrin kroat foli edhe për programin e opozitës.

“E njoha kryeministrin Plenkoviç me platformën tonë të integrimit dhe me vullnetin dhe vendosmërinë tonë për të bërë të gjitha detyrat që do të çojnë në nisjen e bisedimeve me Bashkimin Europian dhe thithjen e fondeve për vendet aspirante, përmes të cilave ne do të zhvillojmë dhe modernizojmë ekonominë e vendit dhe do ju vijmë në ndihmë veçanërisht të rinjve, biznesit të vigël e të mesëm dhe fermerëve shqiptarë”.

Basha u prit edhe nga ministri kroat i Punëve të Jashtme, si dhe Ministri i Brendshëm të cilët tha se i njohu me planin e tij për integrimin si dhe angazhimin e tij nesër në qeveri.

Tv Klan