“Kërkoni drejtësi, taksat tuaja në xhepat e oligarkëve”

“Jemi në pasiguri totale. Gjysmën e punëtorëve i kemi dërguar në shtëpi, pa rroga. Nuk paguajmë dot pagat dhe detyrimet.”

Operatorëve turistikë në Shëngjin, të cilët folën me shqetësim për gjendjen e vështirë që po kalon turizmi në këtë kohë pandemie, Lulzim Basha u kërkoi të bashkohen për të përfituar mbështetje nga qeveria.

“Keni 20 vjet, 30 vjet që paguani taksa, tani është koha të ngrini zërin tuaj dhe të kërkoni drejtësi, nuk po kërkoni lëmoshë, kërkoni drejtësi, kërkoni mbështetjen e merituar, kërkoni një trajtim të paktën, siç e kanë operatorët turistikë të Malit të Zi, Maqedonisë”.

Kryeministrin e akuzoi se pavarësisht krizës ekonomike që po kalon sektori i turizmit është kujdesur që taksat e këtyre bizneseve t’i kalojë për klientët e tij.

“Në vend të mbështetjes për turizmin si një nga degët kryesore të ekonomisë shqiptare, kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë vazhduar të derdhin lekët tuaja, lekët e taksave tuaja nga thesari i shtetit në xhepat e bandës së Lushnjës, 1 milion Euro pagesa për Klodian Mërtirin dhe inceneratorët korruptivë. Turizmi nuk mbështetet, por u thonë “shkoni në bankë, merrni lekë për të paguar të punësuarit”.

Sipas kreut të opozitës, turizmi do të jetë një ndër sektorët mbështetës në planin ekonomik të Partisë Demokratike.

Tv Klan