Nga Elbasani ku u takua me të rinj të këtij qyteti, Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ripërsëriti qëndrimin se zgjedhjet e lira e të ndershme do të jenë beteja kryesore për Partinë Demokratike.

Shqiptarët tha Basha kanë arsye të votëbesojnë në 2017-ën Partinë Demokratike, pasi vjen me një program që ofron punësim e taksa të ulta.

 “Partia Demokratike i garanton sot nga Elbasani gjithë shqiptarët, se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë e do të jenë beteja jonë numër një që do ta fitojmë me çdo kusht. Shqiptarët do të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe do të vulosin vendimin që tashmë është marrë dhe vendimi është Shqipëria më mirë pa Edi Ramën. Shqipëria me Partinë Demokratike, me taksa të ulëta, me mundësi të barabarta për çdo njeri. Shqipëria që e shtyp dhe nuk e promovon krimin”-

tha Basha.

Kundërshtarin e tij politik Basha e cilësoi të dështuar, pasi sipas tij në tre vite qeverisje varfëroi shqiptarët dhe rrënoi ekonominë.

 “Edi Rama është një kryeministër i rrëzuar nga ekonomia. I rrëzuar nga qindra, mijëra të papunë. I rrëzuar nga mijëra të tjerë të shpunësuar nga politika e tij e taksave të larta, e lakut në fytin e qytetarëve, e faturave të larta dhe afrofe të energjisë elektrike, të pensioneve që nuk u rritën kurrë, të çmimeve që rriten nga dita në ditë, të listave që shtohen, e të shpresës që vritet. 

Edi Rama është një kryeministër i rrëzuar nga shëndetësia e kthyer në ditët e saj më të këqija, si në Mesjetë. Edi Rama është i rrëzuar nga qindra, mijëra raste të lidhjeve kriminale të qeverisë së tij, të ministrit të tij të Brendshëm dhe të ministrave të tjerë dhe të atij personalisht me mafien, me kriminelët.”

Gjatë takimit më të rinjtë e Elbasanit, Basha premtoi se pas ardhjes së demokratëve në pushtet, ligji për arsimin e lartë do të jetë nisma e parë që qeveria e tij do të shfuqizojë.

Tv Klan