“PS, përgjegjëse për dështimin e Reformës Zgjedhore”

Një ditë pasi opozita mbështeti protestën e artistëve dhe bojkotoi mbledhjen e Këshillit Politik të Reformës Elektorale, në zyrën e Lulzim Bashës u ngjitën ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian.

Trupit diplomatik kryedemokrati tha se i kishte kërkuar hartimin e një plani masash me BE në mbështetje të familjeve shqiptare për krizën, që sipas tij, qeveria i ka shkaktuar vendit, ndërsa Kryeministrin Rama e bëri përgjegjës për mos hapjen e negociatave.

“Kam kërkuar nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE ndihën e vendeve anëtare që Shqipëria të mund të plotësojë kushtet për integrimin, që Shqipëria të mund të hapë negociatat, që Shqipëria të mund të ketë mbështetjen e nevojshme politike dhe financiare që ka sot nevojë më shumë se kurrë për të përballuar situatën krejtësisht në krizë, në krizë politike, në krizë sociale, në krizë ekonomike dhe e ka edhe më të nevojshme për shkak të pasojave shkatërruese  COVID-it. Është e domosdoshme të farkëtojmë një plan afatmesëm dhe afatgjatë masash me BE për të mbështetur ekonominë e familjeve shqiptare”.

Basha garantoi përkushtimin e opozitës në përmbushjen e 15 kushteve të vëna nga Brukseli, mes të cilave edhe Reforma Zgjedhore.

“Ne nga ana jonë do të bëjmë gjithçka që t’i japim shqiptarëve një orë e më parë, ashtu siç e kemi premtuar, kushtet më të mira për zgjedhje dhe rastin më të parë për t’iu drejtuar kutive të votimit.”

Por a do të rikthehet opozita në tryezën e dialogut të Këshillit Politik për të vijuar me Reformën Elektorale dhe përmbylljen  e saj brenda angazhimit të dhënë që është fundi i muajit Maj?

“Kjo nuk varet nga ne. Ne nuk mund të jemi fasadë e procesit. Ne kemi investuar kredon tonë morale dhe politike dhe përgjegjësia për mbarëvajtjen e reformës zgjedhore dhe për çuarjen e saj deri në fund, në veçanti sipas afateve që u shpallën para një jave, është tërësisht e Partisë Socialiste. Vullneti nuk mund të shprehet me fjalë, vullneti shprehet me vepra. Dhe veprat e javës së kaluar tregojnë se kjo qeveri nuk ka asnjë vullnet për reformën zgjedhore. Kurrë më shumë se sot topi nuk ka qenë në derën e Partisë Socialiste, ajo është përgjegjëse për refuzimin e propozimeve tona deri tani.”

Edhe njëherë, kryedemokrati konfirmoi mbështetjen nga ana e opozitës të protestave të artistëve, deri në largimin e qeverisë dhe Kryeministrit Rama.

Tv Klan