Basha takon banorët e prekur nga tërmeti: Ka ende të pastrehë, përgjegjësi e qeverisë



Basha takon banorët e prekur nga tërmeti: Ka ende të pastrehë, përgjegjësi e qeverisë

10:14 27/12/2019

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vizituar sot banorët e Tiranës, të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Basha ishte në Tarinë, Mallkuç, Bubq, ku u takua me banorët për të dëgjuar problematikat e tyre.

Në një mesazh në Facebook, Basha shprehet se ka qytetarë, fëmijë e të moshuar që kalojnë netët e ftohta jashtë, pa ngrohje, pa ujë e me ushqime të pakta të ofruara nga vullnetarë.

“Kushtet e mjerueshme kanë shkaktuar probleme shendetësore tek qytetarët duke e rënduar situatën. Familjarët nuk dinë nëse banesat e tyre jane apo jo të banueshme. Në shumicën e rasteve askush nuk ka shkuar të shohë e jo më vlerësojë dëmet, në shumë raste vlerësimi është kontradiktor, një herë banesa është vlerësuar e pabanueshme e njëherë e banueshme”.

Basha thotë se qeveria ka dështuar dhe korrupsioni i ka lidhur sytë dhe veshët që të shohë e të dëgjojë qytetarët.

“Nëse 150 milionë dollarët që shkojnë në xhepat e oligarkëve, do tu viheshin në dispozicion njerëzve në nevojë, do të ishin blerë kontenierë të përshtatshëm për strehimin e banorëve, dhe do të kishte nisur procesi i rindërtimit dhe riparimit të shtëpive të dëmtuara.

Paratë tu jepeshin në dorë qytetarëve ne zonat rurale për të nisur rindërtimin, duke shmangur tenderat korruptivë”.

Kreu i opozitës shprehet se duhet menjëherë dedikimi i fondeve për strehim për banorët dhe se kjo është detyrë dhe përgjegjësi e qeverisë.

“Nuk mund të sakrifikohen qytetarët, jeta dhe shëndeti i tyre për milionat e oligarkëve dhe aferat e rradhës korruptive”. /Tvklan.al





Të ngjashme