‘‘Zero bashkëpunim me krimin apo aleancë me bandat’’

Kritikat brenda partisë demokratike pas humbjes së zgjedhjeve, Lulzim Basha tha se i mirëpret pasi në shtëpinë e demokratëve nuk ka asnjë të tepërt. Në një takim me qytetarët në Durrës Basha njoftoi zgjedhjet brenda partisë.

“Një gjë është e qartë, që ju keni patur dhe keni përgjegjësinë dhe mundësinë për të vendosur kush ju përfaqëson dhe kush ju drejton. E keni patur në të kaluarën dhe do ta keni përsëri shumë shpejt por ndërsa ju them këtë, po ju them që nuk ka në shtëpinë tonë asnjë të tepërt. Mendimet, idetë konstruktive, kritikat konstruktive vetëm na ndihmojnë dhe ne duhet t’i mirëpresim”.

Për të 25 Prilli ishte një masakër elektorale dhe se opozita ishte e vetëdijshme që po luftonte përballë bandave kriminale dhe makinerisë shtetërore.

“Të gjithë e dimë, demokrat e socialiste, blerjen masive të votës të orkestruar nga Edi Rama me ndihmën e të pandehurve akoma të padënuar të dosjes 339 të Ergys Çyrbes dhe bandës së Jul Ballës, të Ilir Ndrazhit dhe bandës  së Altin Hajrit dhe klanit kriminal Rrahja dhe klaneve të tjera kriminale në Durrës dhe po kështu anë e mbanë Shqipërisë”.

Ftesave të Ramës për bashkëpunim i ktheu të njëjtën përgjigje refuzuese sikundër gjatë fushatës elektorale

“Për ata që thonë, që na bëjnë me faj, që na llogarisin si gabim, që nuk bëmë dhe ne aleancë me bandat, po ju them fare qartë. Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero. Sepse pushteti i marrë me krimin pjell vetëm krim”.

Basha tha se mbi 180 kallëzime që vërtetojnë krimet zgjedhore të Partisë Socialistë janë depozituar në SPAK dhe prokuroritë anë e mbanë vendit.

Tv Klan