“Platforma e PD për ekonominë lufton korrupsionin dhe krijon lehtësi fiskale për investitorët e huaj”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet në Itali këtë të premte. Ai është takuar me përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë Pordenone-Udine.

Gjatë fjalës së tij, Basha është shprehur se platforma e PD për ekonominë lufton korrupsionin dhe krijon lehtësi fiskale për investitorët e huaj, duke u treguar në këtë mënyrë anëtarëve të Dhomës së Tregtisë për potencialin e vendit tonë.

“Sot pata kënaqësinë të takohem me drejtuesit e Dhomës së Tregtisë në Pordenone-Udine. Diskutuam për sektorët me interes të anëtarëve të Dhomës së Tregtisë për të investuar në Shqipëri, dhe potencialin e madh që ofron vendi ynë. I njoha me platformën ekonomike të PD-së, lehtësirat fiskale, masat e menjëhershme për të luftuar korrupsioni dhe garantuar konkurrencën e ndershme të cilat sot po i mbajnë investitorët larg vendit tonë. Thithja e investimeve te huaja do të jetë prioritet i qeverisë së PD, si mundësi për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve te reja të punës”, është shprehur Basha.

Sipas kryedemokratit, tërmeti i 26 Nëntorit tregoi se vendi jonë ishte i papërgatitur për situata të tilla. Prandaj ai ka hartiuar një plan për emergjencat civile që të jetë gati për t’u vëne në zbatim në ditët e para të qeverisjes.

“Së bashku me partnerët tanë italianë kemi rënë dakord të ndërtojmë një qendër të emergjencave civile e cila të jetë e mirëtrajnuar, e mirëpajisur dhe e gatshme për të vepruar menjëherë bazuar në përvojën më të mirë që është ajo e Italisë dhe brenda Italisë ajo e Friuli-Venezia-Giulia. Ky ishte dhe qëllimi i takimeve me zyrtarë të lartë italian dhe me drejtues e specialist të qendrës së emergjencave civile në rajonin e Friuli-Venezia-Giulia. Është zotimi im që qeveria e ardhshme nuk do të gjendet e papërgatitur para fatkeqësive natyrore qofshin këto tërmete, përmbytje, zjarre etj por do të kemi një instrument të përgjigjes së menjëhershme për t’iu ardhur menjëherë në ndihmë banorëve, për të shpwtuar jetët njerëzore”, shprehet Basha.

Basha u takua edhe me kryetarin e Bashkisë së Pordenone, Alessandro Ciriani si dhe me komunitetin shqiptar atje. Sipas një deklarate të zyrës së shtypit të PD-së, Basha ka shprehur angazhimin e tij dhe të Partisë Demokratike për të ndërmarrë reformat e nevojshme që do ta bëjnë Shqipërinë një vend te mundësive për çdo shqiptar brenda apo jashtë atdheut./tvklan.al