“Akuzat për Shtëpinë e Verdhë, për të larguar vëmendjen”

Lulzim Basha zgjodhi që faturën e majme të barnave që duhet për t’u kuruar nga Covid-19, ta sjellë përmes rrëfimit të disa qytetarëve që e kanë fituar betejën me virusin. Qeverinë dhe Kryeministrin Rama i akuzoi për papërgjegjshmëri e keqmenaxhim të situatës së pandemisë.

Ndryshe nga Kryeministri që thotë se 30% e kapaciteteve shëndetësore në spitalet Covid janë të lira, Lulzim Basha shkon më tej, duke vënë në dyshim edhe ekzistencën e spitalit Covid 4.

“Ka premtuar hapjen e Covid 4, por nuk ka Covid 4.  Njerëzit janë të paketuar me 4-5 veta në sallë më thonin mjekët mbrëmë tek Infektivi dhe Shefqet Ndoqi dhe duke parë njëri tjetrin duke vuajtur rëndohen psikologjikisht”.

Në një tjetër mesazh kryedemokrati u dha përgjigje edhe akuzave të Ramës për Shtëpinë e Verdhë, duke i cilësuar ato shpifje. Sipas Bashës në vend të fabrikimit të mashtrimeve, Kryeministri duhet t’i çojë paratë e shqiptarëve në përballimin e pandemisë.

“Ti nuk më bën dot moral mua për patriotizëm. Ti nuk më mëson dot mua çfarë është besnikëria ndaj Shqipërisë. Po ta them qartë dhe prerë, të gjitha akuzat e tua janë shpifje dhe mashtrime për të larguar vëmendjen nga skandalet dhe dështimet e tua që po i paguajmë me jetë njerëzish”.   

Për kreun e opozitës e vetmja mundësi për frenimin e zinxhirit përhapës të Covid-19 është shtimi i testimeve dhe hapja e spitaleve rajonale.

Tv Klan