PD: Dosjen më manipulimet do ta ndajmë edhe me ndërkombëtarët

Një javë pas zgjedhjeve të 25 Prillit, Lulzim Basha u takua me shefen e misionit të OSBE-ODIHR-it Ursula Gaçek. Për më shumë se 90 minuta në takimin ku ishin edhe përfaqësuesit e PD-së, Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi, Oerd Bylykbashi e Ivi Kaso, shefja e ODIHR-it u njoh me provat e mbledhura nga opozita, që sipas saj faktojnë shkeljet ligjore dhe blerjen e votave në zgjedhjet e së dielës.

Ky takim i zonjës Gaçek me Lulzim Bashën vjen në një kohë kur kryedemokrati ka hedhur akuza për blerje të votave, duke mos u shprehur ende për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve. Pas takimit, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në selinë blu, Ivi Kaso tha se dosja me prova që po mblidhet do t’i dërgohet krahas partnerëve edhe organeve të drejtësisë.

Demokratët pretendojnë që shkeljet e gjetura prej tyre do të çojnë drejt procesit të rinumërimit dhe rivlerësimit të një numri të caktuar votash dhe kutish.

Më herët gjatë fushatës elektorale Partia Demokratike ka depozituar 180 kallëzime penale në prokurori dhe mbi 40 në SPAK.

Tv Klan