Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar mbrëmjen e kësaj të mërkure një takim me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Në një postim në mediat sociale, Basha shkruan se ka falenderuar komisionerin “për ndihmën e jashtëzakonshme që BE i ka dhënë Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë e informova për situatën tejet të vështirë ekonomike dhe korrupsionin që po i varfëron gjithnjë e më shumë shqiptarët dhe po mban larg investitorët e huaj”.

Kreu i PD shton se me Komisionerin e Zgjerimit ka diskutuar dhe për reformën zgjedhore “të miratuar në mënyrë të njëanshme dhe që shembi themelet mbi të cilat u arrit marrëveshja e 5 qershorit”.

Numri një i opozitës shprehet se Kodi Zgjedhor është miratuar në mënyrë të njëanshme dhe cënon standardin e zgjedhjeve.

Gjatë bisedës i bëra të ditur zotit Varhelyi se reforma zgjedhore është ndryshuar dhe miratuar në mënyrë të njëanshme, në shkelje të Kushtetutës. PS duke e ditur se ndryshimet janë në kundërshtim me praktikat e mira të zgjedhjeve  refuzoi marrjen e mendimit të OSBE/ODHIR.

Për herë të parë në Shqipëri u shkelën praktikat konsensuale mbi të cilat janë kryer reformat zgjedhore deri më sot. Ky akt cënon rëndë standartin e zgjedhjeve, të cilat janë kusht i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit”, vijon postimin Basha./tvklan.al