Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje autoriteteve shëndetësore që të rrisin numrin e testimeve ndaj qytetarëve në mënyrë që të zbulohen sa më shumë raste të personave të infektuar, për të bërë të mundur izolimin e tyre.

Në një video-konferencë me gazetarët, kryedemokrati u shpreh se është e rëndësishme që këto testime të rriten në numër, në mënyrë që sakrifica 3-javore e distancimit social dhe e izolimit në banesa, të mos shkojë dëm.

“Mbetet urgjente prej më shumë se 10 ditësh ndryshimi radikal i strategjisë së testimit. Ndonëse numri i atyre që janë të konfirmuar të infektuar është zyrtarisht akoma në shifra të menaxhueshme, është për t’u theksuar fakti se përqindja e viktimave në raport me shifrat e konfirmuara mbetet e lartë. Çka tregon se, për shumë prej ekspertëve, numri i testimeve është jashtëzakonisht i ulët. Ndaj në përputhje dhe me kërkesën e OBSH, dua të bëj thirrje për rritjen drastike të numrit të testimeve, së pari tek ata që janë më të ekspozuarit, te personeli mjekësor, tek personeli shtetëror në kontakt me njerëzit, por dhe tek personeli i bizneseve private në kontakt me njerëzit. Si dhe nisjen e sistemit të gjurmimit në bashkëpunim me pushtetin vendor në mënyrë që përmes testimti, gjurmimit dhe izolimit, të sjellim rezultate të vërtetë në izolimin dhe trajtimin e personave të infektuar.

Dua ta theksoj se pa këtë hap të menjëhershëm, e gjithë sakrifica e bërë në këto 3 javë, mund dhe me siguri do të shkojë dëm. Ne duhet ta dimë me saktësi sa të infektuar kemi, ku i kemi këta të infektuar në mënyrë që të marrim masat sot përpara se sakrifica 3-javore e distancimit social të na shkojë kot dhe të infektuarit e paidentifikuar të vazhdojnë të infektojnë pjesën tjetër të popullsisë dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në rritjen e numrit të të sëmurëve dhe në mënyrë të paevitueshme në rritjen e numrit të viktimave”.

Lulzim Basha pohoi se masat e ndërmarra kanë bërë të mundur që kurba e infektimit për vendin tonë të qëndrojë në stade të pranueshme. Megjithatë, kreu i selisë blu ripërsëriti thirrjen e tij për marrjen e masave ekonomike për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset që kanë qëndruar të mbyllura gjatë këtyre 3-javëve.

“Është një sakrificë e cila ka dhënë rezultat. Falë sakrificës tuaj, falë masave të distancimit social që i keni zbatuar me vetëdije të plotë, Shqipëria ja ka dalë që në këto 3 javë të mbajë nën kontroll në mënyrë optimale kurbën e infeksionit të konfirmuara zyrtarisht, e cila me siguri është më e ulët se sa numri real i infeksioneve, por megjithatë ajo që është e rëndësishme është që punën më të madhe dhe barrën më të madhe e kanë mbajtur qytetarët, e keni mbajtur ju, dhe për këtë dua t’ju falënderoj nga zemra. Siç e dini, ne si opozitë, Partia Demokratike, unë personalisht, kemi kërkuar vazhdimisht nga autoritetet që masave kufizuese t’i bashkëngjisim edhe masat lehtësuese. Në radhë të parë, masa lehtësuese për ata që janë më shumë në nevojë dhe që kanë qenë në kushte jashtëzakonisht të vështira ekonomike edhe para shpërthimit të epidemisë. Së dyti, për të gjithë ata që janë prekur nga masat shtrënguese, në arkën e tyre, në xhepat e tyre dhe në tavolinën e tyre. Dhe së treti, po kështu për sipërmarrjet, biznesin e vogël por dhe punëdhënësit e mëdhenj të cilët janë gjetur në vështirësi të paparashikueshme në mënyrë që kjo krizë pandemike, e cila padiskutim ka efektet e veta në krizën ekonomike, të mund të menaxhohet sa më mirë të jetë e mundur brenda mundësive, kushteve, por edhe brenda nevojave të qytetarëve shqiptarë”. /tvklan.al