Kryedemokrati Lulzim Basha u bën thirrje banorëve të Durrësit, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, që të mos rrezikojnë për të hyrë në shtëpitë e tyre.

Në një postim në Facebook, Basha thotë se qeveria po bën propagandë për të mbuluar neglizhencën që shkaktoi 51 të vdekur dhe 900 të plagosur.

“Dy javë e gjysmë nga tërmeti i 26 Nëntorit, ende qytetarët në fshatrat e Durrësit dhe kudo në zonën e goditur, nuk kanë asnjë qartësi se çdo të bëhet me ta. E gjithë vëmendja e qeverisë është tek propaganda për të mbuluar dështimin neglizhencën kriminale që mori 51 jetë njerëzish. Situata është e rrezikshme për shumë familje të cilat, në pamundësi të një strehe, po rikthehen në shtëpitë e tyre që nga verifikimet e para janë konsideruar të pabanueshme, duke rrezikuar jetën e këtyre familjeve. Nga shteti nuk është kujtuar askush tu çojë një çadër, apo ushqimet më minimale, duke i detyruar të flenë jashtë apo ne rastin më të mirë te miq a të afërm. Ky dështim po na shtyn drejt një krize humanitare. Thirrja ime për qytetarët është të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre duke u kthyer në shtëpitë e dëmtuara. Kjo duhet të bëhet vetëm dhe vetëm pasi me përgjegjësi të plotë ligjore dhe penale, ekspertët e autorizuar zyrtarisht nga qeveria, certifikojnë me shkrim dhe zyrtarisht se banesa është e sigurt”.

Për Kryeministrin Edi Rama, kryetari i PD-së thotë se po endet si korb nëpër gërmadhat, kur duhet të akordonte fondet për strehimin dhe furnizimin me ushqime të familjeve të prekura nga tërmeri.

“Në vend të vërtitjes si korbi nëpër gërmadha, duhet urgjent te alokohen fonde për strehimin dhe ushqimin e çdo fëmije, çdo prindi, çdo nëne dhe babai, çdo pensionisti në nevojë. Të akordohen menjëherë  për qytetarët e goditur nga tërmeti, 150 milion dollarët që ministri i inceneratorëve dhe rrugës së florinjtë, prapë jua la oligarkëve me buxhetin që sapo miratuan fshehtas 1 orë më parë.  Si mund të lihen qytetarët në mëshirën e fatit, ndërsa paratë e taksave të tyre shkojnë në xhepat e 10 oligarkëve dhe qeveritarëve të lidhur me ta”, shkruan Lulzim Basha. /tvklan.al