Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pritur këtë të hënë në një takim zv/kryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin. Basha tregoi se çfarë është biseduar mes tyre në selinë blu, ndërkohë që vuri theksin tek censusi që po zhvillohet në Maqedoni. Basha i bëri thirrje mërgatës shqiptare të RMV-së që të regjistrohet pasi kështu varet fati i komunitetit shqiptar në RMV.

“Tema që unë e konsideroj kryesore dhe qendrore është procesi i regjistrimit në RMV, censusi. Proces i cili ndryshe nga Shqipëria lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e shqiptarëve në RMV. Një regjistrim i saktë, në veçanti i qytetarëve shqiptarë të RMV-së në emigracion jashtëzakonisht është i rëndësishëm për të reflektuar detyrimet që burojnë nga Kushtetuta e RMV, nga marrëveshja e Ohrit, pra për të reflektuar ato që ndikojnë jetën e bashkëkombasve tanë, investimet kapitale që bëhen në zonat e banuara nga shqiptarët, kuotat në administratën tonë.  Jemi në kohë për t’ju drejtuar me një thirrje personalisht, por edhe në emër të PD-së dhe koalicionit tonë dhe në emër të çdo shqiptari, këtë thirrje ia drejtoj emigrantëve, diasporës, të mërguarve shqiptarë nga RMV. Ndani 10 apo 15 minuta nga koha juaj dhe kryeni regjistrimin tuaj online siç është mundësuar nga insistimi i partitë politike shqiptare sepse kështu ndihmoni familjet tuaja në RMV dhe ndihmoni drejtpërdrejtë në fuqizimin dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në RMV. Ju vetë jeni dëshmitarë dhe mbështetës të betejave të jashtëzakonshme që keni përjetuar në shekullin e kaluar për ekzistencë gjatë luftërave ballkanike, më pas për ekzistencë gjatë kohës së federatës jugosllave, si dhe betejës së vazhdueshme që kulmoi me marrëveshjen e pasluftës, të sakrificës së jashtëzakonshme që janë bërë për përfaqësim. Ky census të reflektojë përmasat e një prej dy kombeve të RMV në impakt të drejtpërdrejtë të shqiptarëve të RMV në të gjitha fushat.  Ju lus edhe njëherë që mos e nënvlerësoni këtë moment të rëndësishëm, por bëni këtë detyrë si patriotë para bashkëkombasve tanë duke marrë pjesë në procesin e regjistrimit që përmbyllet më 25 Prill”.

Ndërkohë zv/kryeministri i RMV-së deklaroi se ky operacion ka rëndësi të madhe politike. Ai bëri thirrje për një fushatë të mbarë politike në prag të zgjedhjeve.

“Censusi është një operacion jo vetëm statistikor, por edhe politik sepse të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera varet nga përqindja në numrin total të popullatës. Një fushatë të mbarë për gjithë Shqipërinë dhe uroj që shqiptarët ta shprehin vullnetin politik në mënyrë demokratike në zgjedhje shembullore dhe Shqipëria dhe RMV të hapin dyert për integrimin që në Këshillin Europian në muajin Qershor”./tvklan.al