Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bëri thirrje të gjtihë shqiptarëve mbrëmjen e së martës të braktisin zgjedhjet e 30 Qershorit, pasi ato janë nul dhe nuk do të njihen.

Në një dalje për mediat nga selia blu, Basha tha se “mënyra më e mirë për të përshpejtuar rënien e Edi Ramës, është braktisja e tij, është braktisja e oborrit të tij të kriminelëve, të klientëve, shërbëtorëve dhe veglave të tij.”

Braktisini oligarkët e tij! Braktisini mediat e tij! Braktisini shërbëtorët e tij publikë! Ngrini zërin kundër tyre! Protestoni kundër tyre! Pengojini ata! Mos besoni propagandën e Edi Ramës! Mos besoni gënjeshtrat e lakejve të tij! Mos u bëni pjesë e shfaqjeve banale, që Edi Rama prodhon me mitingjet dhe aktivitetet e tij! Refuzojeni Edi Ramën! Refuzojini biznesmenët e tij grabitqarë! Refuzojini kriminelët që ai mban pranë! Refuzojini ata moralisht! Refuzojini shpirtërisht! Mbi të gjitha, braktiseni Edi Ramën politikisht!

Kryedemokrati akuzoi Kryeministrin Rama se mori si avokat kundër gazetarit gjerman që publikoi përgjimet në gazetën “Bild”, avokatin e milionerëve dhe sulltanëve.

“Sot, Edi Rama shpalli se ka pajtuar një avokat gjerman kundër gazetarit Peter Tiede.  Është një nga avokatët më të shtrenjtë në Europë, që faturon të paktën 13 euro për minutë. Të gjithë klientët e këtij avokati janë multimilionerë dhe miliarderë dhe, mes tyre mbretër, dhe sulltanë. Nuk është e rastësishme që në këtë listë, tani, do të jetë edhe Edi Rama, një nga njerëzit më të pasur të Ballkanit. Padia që ka bërë mund të kushtojë qindra mijëra euro. Por Edi Rama nuk i asgjë as as milionat.”

Basha nuk ngurroi të krahasonte Ramën me Ramiz Alinë dhe Shqipërinë e vitit 2019 me atë të vitit 1991.

“Ramiz Alia nuk e shpëtoi dot regjimin kriminal enverist. As Edi Rama nuk do ta shpëtojë dot regjimin e tij kriminal. Por fati i Edi Ramës duket se do të jetë më i keq se i Ramiz Alisë. Ramiz Alia i anuloi zgjedhjet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë zgjedhjeve pluraliste. Edi Rama ka vendosur t’i bëjë zgjedhjet e tij njëpartiake.”

Gjatë paradites, kreu demokrat priti në zyrë të ngarkuarën me punë të SHBA-ve dhe ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, ku temë e bisedës ka qenë situata politike dhe zgjedhjet e 30 Qershorit.

/tvklan.al