Sipas kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, turizmi ndodhet në momentet më të këqija. Kjo vjen si pasojë e premtimeve të pambajtura të kryeministrit Rama në këtë kohë pandemie, shkruan Basha.

Sipas tij, 100 mijë punonjës në këtë sektor dhe 200 mijë të tjerë të lidhur me të rrezikojnë punën. Kreu i opozitës thotë se e ka turizmin prioritet. Ai jep propozimet e tij për daljen e turizmit nga kriza.

“Një qeveri e përgjegjshme duhet të subvenciononte konsumin e qytetarëve dhe të injektonte para përmes masave konkrete mbështetëse.
Shqiptarët, por edhe bizneset turistike kanë nevojë për masa dhe ndihmë konkrete që të kenë mundësi të çojnë fëmijët në plazhe apo male, dhe që biznesi i turizmit të funksionojë. Ne do t’i japim fund favorizimeve fiskale për 5 individë, ndërkohë që mbi 95% e operatorëve të tregut rrezikojnë falimentimin. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të shijojnë bukuritë natyrore, plazhet dhe pasuritë e tjera të Shqipërisë. Me resurset e saj turistike, Shqipëria ka nevojë dhe do të ketë një qeveri të përgjegjshme dhe serioze, me plan konkret zhvillimi që do të rrisë numrin e të punësuarve dhe do t’i kthejë frymëmarrjen ekonomisë dhe gjithë vendit”,
tha Basha.

Kreu i demokratëve thotë se industria e turizmit nuk mund të ecë para me premtime boshe dhe video propagandistike./tvklan.al