Kreu i PD publikon video nga makina: Ngeca në trafik tek “Sheshi Shqiponja”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zgjedhur në formë tjetër për t’iu përgjigjur qytetarëve. Basha ka publikuar një video në mediat sociale ku shihet se është duke udhëtuar dhe prej aty u ka dërguar disa mesazhe qytetarëve.

Kreu i PD ka thënë se për më shumë se gjysmë ore ka përshkuar me pak se 500 metra, pasi ka pasur shumë trafik tek “Sheshi Shqiponja”. Basha tha se ky trafik është simboli i bllokimit të Shqipërisë, që sipas tij është bllokuar nga Rama në këto 8 vite.

“Kam gjysmë ore për të përshkuar më pak se 500 metra. Të bllokuar janë mijëra shqiptarë që bllokohen çdo ditë. Ky trafik është një simbol siç ka ngecur Shqipëria në këto 8 vite. Është simboli i korrupsionit. Më në fund kemi dalë në autostradë tani dhe po ecim, siç do dalim pas 25 Prillit. 25 Prilli është ditë ndryshimi”, tha ndër të tjera Basha.

Numri një i opozitës hodhi akuza se Durrësi është marrë peng nga krimi dhe po qeveriset nga nga krimi. Por pas pyetjes së një qytetareje se çfarë përfitimesh do të jetë ajo nëse Basha fiton ai tha se  do të ulen taksat dhe sigurimet shoqërore, por tregoi dhe planin që ka për shkollat.

“Do të ketë tekste falas për fëmijët deri në fund të arsimit 9-vjeçar dhe për familjet në nevojë deri në klasën e 12-të. Po ashtu premtojmë se shkollat do të jenë të hapura deri në orën 4 që shumë fëmijë të mund të bëjnë detyrat, të mësojnë, të zhvillojnë talentet e tyre. Për sa i përket pagës minimale deri në 300 mijë Lekë do të jetë zero taksimi dhe do të ulen me 18% sigurimet shoqërore”, u shpreh Basha.

Numri një i opozitës më tej ka treguar dhe ligjet e para që do të miratojë sapo të vijë në qeveri nëse fiton zgjedhjet në 25 Prill.

“Kam shumë ligje që duhen miratuar dhe ndryshuar, por një nga ligjet e para do të jetë që Kryeministri mos të ketë më shumë se 2 mandate, por do të anulohet dhe ligji i arsimit të lartë, do të anulohen koncesionet dhe do të hiqet trau në rrugën e kombit”, u shpreh ai./tvklan.al