“Do të kontribuojnë në fuqizimin e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar të gjithë deputetët e dalë nga zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

“Në emër të Partisë Demokratike dhe në emrin tim personal, uroj 32 deputetët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e mbajtura në RMV”, shkruan Basha në Twitter.

Kryedemokrati thotë se e ka përcjellë me entuziazëm rezultatin e zgjedhjeve të cilin e konsideron historik. Basha shprehet se është besimplotë që të zgjedhurit e rinj do të kontribuojnë në fuqizimin e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“E kam përcjellë me entuziazëm këtë rezultat historik, me besimin e plotë se pavarësisht rreshtimit politik të mandateve shqiptare në qeveri apo opozitë, ato do të kontribuojnë në mbrojtjen dhe fuqizimin e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në RMV dhe do të garantojnë e konsolidojnë kursin e qartë të RMV drejt standarteve euroatlantike që janë garancia e vetme dhe e sigurtë për një Ballkan demokratik,në paqe e të zhvilluar”, shkruan Basha./tvklan.al