“Po lemë pas një vit të vështirë, pandemia na gjeti të gjunjëzuar”

2020 për Lulzim Basha do të mbahet mend si viti i krizës ekonomike dhe pandemisë për shqiptarët.

“Kriza e pandemisë e pllakosi vendin tonë, në një kohë kur ekonomia ishte tashmë e gjunjëzuar dhe sistemin tonë shëndetësor e gjeti në pikë të hallit, si pasojë e mungesës së mbështetjes”.

Në vigjilje të ndërrimit të viteve kreu i opozitës mesazhin e parë e pati për të gjithë bashkëkombësit e tij, të cilët u përballën me dhimbjen e ndarjes nga jeta të të shtrenjtëve të tyre.

“Shumë prej nesh humbën më të dashurit, familjarë dhe miq të çmuar prej koronavirusit, duke lënë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Teksa i them këto fjalë, ka shumë familje që janë prekur rëndë nga pandemia, spitalet tona janë të mbingarkuara.”

Pa uruar nuk la edhe heronjtë në vijën e parë të përballjes me koronavirusin.

“Punonjësit tanë shëndetësor janë duke punuar me mish e me shpirt për të shpëtuar jetë edhe pse në kushte shumë të vështira. Mirënjohja jonë nga thellësia e zemrës shkon sot tek mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon me vetëmohim për të shpëtuar jetë, duke sakrifikuar gjithçka, shpesh edhe vetë jetët e tyre.”

Shqiptarët i fton të lënë mënjanë trishtimin e të besojnë se 2021-i do të jetë viti i ndryshimit dhe i shpresës.

“Ka shpresë për një Shqipëri tjetër. Për një qeverisje ndryshe që kujdeset për qytetarët e punon për ju. Për një qeveri që garanton uljen e kostos së jetës dhe mundëson hapjen e vendeve të reja të punës për çdo qytetar”.

E sikundër beson, ndryshimi në 25 Prill do të ketë fytyrën e rinisë.

“Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!”

Tv Klan