Sipas kreut demokrat Lulzim Basha, qeveria duhet të punojë që të tërheqë investitorët e huaj. Gjatë turit të dëgjesave “Rrugëtimi për Shqipërinë” me të rinjtë, që këtë të mërkurë u zhvillua në Shkodër, Basha deklaroi se kjo qeveri ka zgjedhur korrupsionin, ndërsa investimet e fundit të huaja datojnë para 8 vitesh.  Prioritet i qeverisë së nesërme të Bashës do të jetë krijimi i klimës së duhur për biznesin vendas dhe atij të huaj.

“Prandaj na duhet ndryshimi, që të kemi një qeveri që punon për ju dhe çdo shans, çdo mundësi që na ofron sot Europa ta kapim me të dyja duart. Ka ikur koha kur vinin dhe luteshin investitorët. Tani është radha e qeverive të vogla si vendet tona, të shkojnë t’i kapin për mënge dhe t’i thonë hajde këtu se këtu do të keni kushtet më të mira për të investuar. Çfarë i thonë këta? Këta i thonë hajde po ta mbajti se të rreh Rrumi në mes të rrugës. Rrumi të rref në mes të rrugës. Po nuk të rref Rrumi të rref shoku i Rrumit. Po u afrove për të investuar duhet të shkosh të falesh te kryeministri dhe ministrat dhe thonë ata që shko dhe puno me filanin. Prandaj nuk kemin investime ne. Investimet e fundit të huaja që kanë hapur vende pune janë hapur para 8 vitesh TAP dhe Devolli. Ky është prioritet. Prioriteti është të krijojmë një klimë ku si biznesi vendas dhe investimi i huaj të thotë këtu punohet. Kjo është rrugëdalja”, tha Basha.

Basha foli edhe për stazhet për studentët. Ai theksoi se 10 mijë stazhe në vit kushtojnë 15 milionë euro, por këto para ia vlen t’i shpenzosh pasi sipas statistikave pjesa më e madhe e tyre punësohen. /tvklan.al