“Alibia se fajin e ka sistemi i shërben propagandës së Ramës”

Lulzim Basha, ndryshe nga Kryeministri Rama, flet për një krizë të thellë politike dhe shigjeton këtë të fundit si shkaktar të saj. Por pavarësisht fajtorit, thotë se gatishmëria nuk i mungon për ta zgjidhur sa më parë këtë krizë që rëndon mbi shqiptarët.

“Unë zgjedh të besoj Bundestagun dhe nuk besoj se ka shqiptar që në mes të Bundestagut dhe Edi Ramës, zgjedh këtë të fundit. E shkruar e zezë mbi të bardhë, vendi është në një krizë të thellë politike dhe këtë shqiptarët. Jemi të gatshëm të hedhim çdo hap të nevojshëm, për t’i dhënë fund një orë e më parë, krizës së thellë politike, ku e ka zhytur vendin Edi Rama dhe qeveria e tij e dështuar.”

Reforma Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it ishte edhe dakordësia të cilës iu referua nga Vjena, Kryeministri Rama. Opozita është në fund të konsultave për draftin e saj, ku tashmë aleatët janë tërhequr nga kushti për ndryshimin e sistemit dhe listat e hapura. Lulzim Basha shprehet pro një ndryshimi të tille, por e sheh jo në funksion të zgjidhjes së problemit, nëse më parë nuk bëhet ndarja e politikës nga krimi.

“Cilido sistem të zgjidhet, do të dështojë, nëse nuk garantojmë ndarjen e politikës nga krimi, ndaljen e blerjes së votës me paratë e pista dhe ndëshkimin e krimeve elektorale nga një drejtësi e pavarur. Ndaj, nga kjo pikëpamje,  mund të them se alibia, se “fajin e ka sistemi”, fatkeqësisht mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës, sipas të cilës jemi të gjithë njësoj, sipas të cilës fajin e ka çdokush, përveç atij,  për kandidimin e personave me rekorde kriminale, për kapjen e gjithë kupolës së shtetit dhe policisë duke blerë vota me krimin e organizuar. “

Reforma Zgjedhore ishte edhe në qendër të takimit që kryedemokrati zhvilloi me aleatët në orët e mbrëmjes në selinë blu. Opozita draftin e saj pritet ta publikojë brenda Janarit. Dokumenti nuk do t’i dërgohet Komisionit të Reformës Elektorale, por partnerëve ndërkombëtare e më pas do t’i nënshtrohet një konsultimi publik.

Tv Klan