Basha: Vendimet e qeverisë, kundër biznesit të vogël

Basha: Vendimet e qeverisë, kundër biznesit të vogël

18:06 05/08/2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi në Fushë-Krujë se vendimet e qeverisë dhe të Parlamentit në këto 6 vjet janë kundër biznesit të vogël. Në një takim me strukturat e PD në Fushë-Krujë, kreu i opozitës përmendi monopolin e ri privat për faturimin elektronik.

“Hajduti psiqik i është vërsulur biznesit të vogël për t’i marrë edhe qindarkën e fundit me aferën e sistemit të ri të faturimit të biznesit, nëpërmjet të cilit do të nxjerrë jashtë përdorimit 140 mijë kasa fiskale dhe do të detyrojë biznesin e vogël t’i paguajë Olsi Ramës dhe këshilltarit kroat të Ramës 50 deri në 110 Euro për çdo biznes. Kjo zhvatje e re bëhet për të mbushur xhepat e familjes dhe miqve të Hajdutit Psiqik, ndërkohë që oligarkëve u fali dividentin, bregdetin, naftën, mineralet, lumenjtë dhe pyjet”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës renditi disa nga aktet e qeverisë në shërbim të pakicës.

“Janë këta që votuan për t’i kthyer dividentin oligarkëve, janë këta që votuan mega-vjedhjen Milot-Balldren 15 milionë Euro për kilometër, janë këta që votuan grabitjen e Teatrit Kombëtar për 6 kullat 200 milionë Euro të treshes Rama-Veliaj-Mafia e Ndërtimit dhe Drogës”, tha Basha

Sipas kreut të opozitës, ekonomia e vendit është në duart e një pakice.

“Janë një grusht njerëzish të pamëshirshëm, biznesmenë parazitarë dhe grabitqarë, që nuk prodhojnë, nuk krijojnë por vetëm vjedhin dhe grabisin mundin, djersën, pronat e shqiptarëve në bashkëpunim me Edi Ramën.  Nuk bëjnë asgjë për njerëzit e thjeshtë. Vetëm vjedhin me koncesione, me PPP, me tendera, me leje ndërtimi, me ligje special dhe me çdo mënyrë që munden. Ata nuk lejojnë asnjeri tjetër të krijojë, të konkurrojë, të ndërtojë, të provojë”, theksoi kryedemokrati.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se 30 Qershori ishte një refuzim për qeverinë dhe thirrje për ndryshim.

Shumica 85% “Rama ik” është shprehje e kurajos dhe vetëdijësimit të shqiptarëve se 30 qershori nuk bëhej për njerëzit. Bëhej për Edi Ramën, bëhej për Artur Bushin, bëhej për këta 5-6 oligarkë hajdutë grabitqarë dhe 5-6 kriminelë që kanë marrë peng gjithë shtetin. Prandaj, përtej refuzimit të Edi Ramës, 30 Qershori përbën dhe një kushtrim, një kërkesë, një thirrje popullore për ndryshim. Ndryshim në aspektin ekonomik, ndryshim në aspektin politik, për t’i dhënë fund krizës ekonomike, varfërisë, papunësisë, emigracionit që po e zbraz vendin”, deklaroi Lulzim Basha. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
UKT