SPAK të marrë në pyetje të përfshirët në aferën e inceneratorëve

Deklaratën e bërë nga Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, Lulzim Basha e mori vesh nga media, teksa ishte në komunikimin e përditshëm me gazetarët.

Sikundër zyrtari i lartë i Bashkimit Europian edhe kryedemokrati shpreson që zgjidhja për situatën të vijë nga Komisioni i Venecias.

“E mbështes këtë apel të Komisionerit në emër të BE dhe shpresoj që Komisioni i Venecias të ndërhyjë për të treguar fare qartë atë që ne demonstruam gjatë gjithë këtyre muajve në tryezën e Këshillit Politik se ne ishim të përkushtuar ndaj standardeve zgjedhore dhe Edi Rama ka një tmerr të papërshkrueshëm nga procesi i ardhshëm zgjedhor dhe për këtë arsye ka shkelur dhe dhunuar standardet minimale zgjedhore që Europa i konsideron të domosdoshme për zgjedhje demokratike”.

Deri në mbërritjen e një opinoni për kodin elektoral, Lulzim Bashës i duhet të merret edhe me punët brenda partisë. Një ndër to është edhe vendimi nëse do të ketë një të tillë nga kryesia e Këshilli Kombëtar për 13 ish-deputetët dhe anëtarët e kryesisë që nuk kaluan dot klasën nga 5 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit për të qenë kandidatë për deputetë në listën finale. Pyetjes nëse do të mbetet në fuqi vendimi i komisionit, Basha i dha këtë përgjigje.

“Raporti i Komisionit do të shqyrtohet nga organet vendimmarrëse që janë Kryesia dhe Këshilli Kombëtar. Unë dua të falenderoj anëtarët e komisionit, për përkushtimin dhe punën voluminoze që kanë bërë. Anëtarësia ka folur dhe organet vendimmarrëse, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar bazuar në këto vendime dhe propozime pasi të shqyrtojnë raportin e Komisionit do të marrin vendimet përfundimtare siç e ka statuti”.

I hapur është për këdo që jep kontribut në opozitë, që qëllim thotë se ka largimin nga qeveria të Edi Ramës, teksa i referohet edhe lëvizjes më të fundit të paralajmëruar nga ish-nënkryetarja  Jozefina Topalli, e cila pritet ta bëjë publike të mërkurën.

“Ftesa ime ka qenë dhe mbetet për këdo. Kjo është çështje për jetë e vdekje për ndryshim. Kush ndihmon për largimin e Ramës është i mirëseardhur, kush përpiqet ta zgjasë me apo pa maskë, qytetarët e kanë të qartë”.

Dhe kur flet për largimin e Ramës nga pushteti sërish i kujton akuzat për tre inceneratorët. Në këtë betejë sikundër e cilëson me të keqen fton edhe SPAK-un.

“Nuk mjaftojnë deklaratat dhe hapat e breshkës, sepse çdo ditë që ju nuk veproni, ju po inkurajoni vjedhjen. Duhet të shkurajoni vjedhjen. Fillojini merrini në pyetje, thërritini në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. E vetmja arsye pse vazhdojnë të livadhisin është mosveprimi juaj apo veprimi i vonuar. Provat i keni. Do të jetë shumë vonë nëse kjo bandë e strukturuar kriminale vazhdon të përgjakë buxhetin, të marrë paratë e shqiptarëve dhe t’i zhdukë ato në parajsa fiskale. Keni në dorë të veproni sot, keni detyrimin të veproni sot”.

Sipas Bashës paratë e vjedhura të taksapaguesve shqiptarë për tre inceneratorët do të mjaftonin për përballimin e situatës nga Covid-19, që sipas kryedemokratit po e gjen qeverinë të papërgatitur.

“Shëndetësia në kolaps, ku e ka paketën e tretë. Edhe vala e dytë po e gjen të papërgatitur Ramën”.

Basha tha se nëse plani i opozitës do të ishte vënë në veprim, qeveria do të kishte funksionale kapacitete për të pritur të prekurit me Covid dhe mundësi më shumë për të përballuar rastet të reja.

Tv Klan