Edi Rama kujdeset të mos e zgjojë nga gjumi sa herë flitet për të, por Lulzim Basha pas një heshtjeje të gjatë dhe mungese në korridoret e politikës aktive, u shfaq për t’i kthyer reston.
“Thirrja ime është të nisë puna e komisionit të reformës zgjedhore, alibitë kanë rënë, s’ka asnjë alibi veç atyre që shpikën rëndom këto dy vite”.
Kur bëhet fjalë për konsensusin aritmetik, nuk ngurron të vërë kushte në këmbim të votave të deputetëve të tij për ligjet që kërkojnë 84 kartona jeshilë për t’i kaluar në parlament.
Për herë të parë foli edhe për arrestimin e Sali Berishës.
“Në rrafshin personal më vjen keq. Në rrafshin politik, PD duhet të ecë përpara. Në çdo rast drejtësia të bëjë punën e vetë”.
Ndonëse përplasja për drejtimin e Partisë Demokratike vijon ende në dyer e gjykatave, Lulzim Basha pretendon të kundërtën.
“S’e kam thënë unë që jam kryetar i PD, e thotë gjykata, KQZ dhe institucionet ndërkombëtare dhe padiskutim jam kryetar i zgjedhur më 29 Korrik 2023”.
Me të në krye të PD, garanton opozitë të fortë kundër Edi Ramës, teksa aksionin e mosbindjes civile të kolegëve demokratë e cilësoi vënie në shërbim të kryeministrit.
“A ka njeri që nuk e kupton se të pengosh me tymuese punimet e parlamentit i shërben Edi Ramës? Çfarë arrihet? U pengua buxheti? Jo! Buxheti më i madh në Shqipëri kaloi për 4 minuta. Jo vetëm që nuk i shërbente, por dëmtohet interesi publik”.
Gazment Bardhi e ironizoi teksa ai mbante konferencën për shtyp si zgjim me telekomandë, por ky i fundit nuk mungoi t’i kundërpërgjgijet.
“Ilustrim i asaj që s’do ndodhë më”.
Jo vetëm që Gazment Bardhit nuk ia ndjen mungesën, por rrugën i preu edhe një bashkëqeverisje me Edi Ramën, duke lënë pas shijen e asaj të 2017-ës.
Tv Klan