Bisedë me Komisionerin për Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një videokonferencë me Komisionerin për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi. Kreu i selisë blu në një videomesazh për qytetarët tregoi se falenderoi eurokomisionerin për shprehjen e vullnetit pozitiv për hapjen e negociatave, pas përmbushjes së 15 kushteve.

“E garantova se opozita, Partia Demokratike dhe unë personalisht, do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të kontribuar për plotësimin e këtyre kushteve. Plotësimi i 15 kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme për këtë, do të sjellin jo vetëm hapjen e negociatave, por edhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e mirëqenies ekonomike për çdo familje shqiptare”, tha Basha.

Kreu i opozitës ka biseduar me Varhelyin edhe për çështjen aktuale të pandemisë koronavirusit. Ai falenderoi eurokomisionerin për ndihmën që BE akordoi për Shqipërinë dhe i ka kërkuar që të shohë çdo mundësi për ta shtuar këtë ndihmë.

“I kërkova, po kështu, edhe mundësinë e rialokimit të fondeve brenda instrumentit të paraaderimit, që njihet si IPA, në drejtim të tre prioriteteve kryesore:

1. Mbështetje për shëndetësinë.

2. Mbështetje sociale për njerëzit në nevojë.

3. Mbështetje për biznesin dhe ekonominë shqiptare.

Po kështu i kërkova komisionerit të bëjnë gjithçka për të na ndihmuar edhe me instrumentet e tjera në dispozicion të Bashkimit Europian, si Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.  Nuk jemi vetëm.  Pavarësisht ditëve të vështira që po kalojmë, të jeni besimplotë se ditë më të mira do të vijnë për ju, për familjet tuaja dhe për Shqipërinë”, tha Basha./tvklan.al