Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se protesta e opozitës së bashkuar duke bllokuar akset rrugore në 12 qarqe kishte një mesazh të qartë: Rama ik!

E gjithë Shqipëria e bashkuar çoi sot një mesazh të qartë: Rama Ik! Shkaktari i krizës totale të Shqipërisë, njeriu që ia mbylli përsëri dyert e Europës, ka bërë zullume në shtëpinë e çdo shqiptari.  Edi Rama e ka vulosur vetë fatin e tij dhe nuk ka forcë mbi Tokë që e shpëton. Ne jemi bashkë për të çelur ditën e re të shpresës për Shqipërinë. Ne do t’i japim fund makthit ekonomik që ka pllakosur kudo dhe do t’u japim vogëlushëve dhe prindërve të tyre perspektivën e Shqipërisë si gjithë Europa.

Nga Elbasani, Basha kishte edhe një thirrje për ndërkombëtarët, të cilat sipas tij po mendojnë të rikthejnë vizat për shqiptarët.

Iu bëj thirrje ndërkombëtarëve: Mos e ndëshkoni popullin tim, mos riktheni vizat për shqiptarët, ne do t’ia heqim vizën Edi Ramës, krimit dhe korrupsionit. Ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni dhe do të rikthejmë institucionet.

Kryedemokrati u shpreh i sigururt se me 30 Qershor nuk mund dhe nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën, por sipas tij, do të caktohet një datë e re për zgjedhje të parakohshme.

Me 30 Qershor nuk do të lejojmë farsë zgjedhore, zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë, nuk mund të ketë. Nuk do të ketë farsë zgjedhore. Krimi nuk do të diktojë më zgjedhjet. Ajo ditë nuk do të lindë më 30 Qershor. Një datë e re për zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare do të caktohet nën kujdesin e një qeverie tranzitore.

Basha u bëri thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në protestën e 4-rt kombëtare që do të mbahet në Tiranë më 11 Maj. “Beteja vazhdon”, tha ai. /tvklan.al