“Nuk ka drejtësi me Ramën kryeministër”

“Pranga për politikanët që vodhën zgjedhjet me krimin, qeveri tranzitore pa Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale”. Kështu deklaroi kreu i opozitës Lulzim Basha në një takim me strukturat e PD në Divjakë.

Kryedemokrati tha se nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, 30 Qershori është një proces nul dhe kriminal. “Një proces që është nul dhe kriminal nuk mund të prodhojë asgjë të ligjshme. Shumica dërrmuese e refuzoi dhe shumë nga ata që detyroi me forcë, iu përgjigjën duke i bërë votat të pavlefshme. Vlora 14%, Berati 14%, Durrësi 13.5%, Korça 14%, Shkodra 6%. Refuzimi popullor ka qenë plebishitar. 30 qershori është dërrmimi më i madh politik dhe moral i ndonjë pushteti në këto 30 vjet. U faktua ajo që ne paralajmëruam: Është varreza politike e Edi Ramës,” theksoi Basha.

Përsa i përket mënyrës sesi zgjidhet kriza politike, lideri i opozitës ishte shumë i qartë. “Kjo krizë nuk mbyllet me pazar. Kriza zgjidhet me parime. Parimi i parë është “prangat për ata politikanë që kanë vjedhur votat”. Për këtë duhet drejtësi e pavarur, por drejtësi me Ramën kryeministër nuk ka për të patur,” vuri në dukje Basha.

Pjesë e aksionit opozitar do të jetë edhe shpalosja e alternativës, bashkë me njerëzit, në mënyrë që, siç u shpreh kreu i opozitës “shumicën Rama ik, shumicën që kërkon ndryshim, ta kthejmë në një mazhorancë qeverisëse”.

 Basha tha se shqiptarët e kërkojnë ndryshimin, sepse gjendja ekonomike nuk ka qenë kaq e rëndë në dy dekada, për shkak të projektit të Edi Ramës për grabitjen e vendit. “Rama dhe banda e tij prej gjashtë vitesh kanë vetëm një projekt, vjedhjen dhe grabitjen e pasurive të shqiptarëve, të taksave dhe pasurive publike të vendit. Oligarkia dhe monopolet kanë shkatërruar tregun. Çmimi më i lartë i energjisë dhe naftës, papunësia e lartë, falimentimi është shtrire kudo”.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, vlerësoi se rikthimi i besimit tek opozita me betejën e saj për zgjedhjet e lira e të ndershme është arritja kryesore e PD dhe e aleatëve të saj. “Djegia e mandateve bindi qytetarët se opozita nuk po e bën këtë betejë për vete, për karriget, për imunitetet, për privilegjet e veta. Përkundrazi, i sakrifikoi të gjitha këto dhe u rreshtua në krah të njerëzve në betejën për të pasur një qeveri nga njerëzit, për njerëzit dhe të njerëzve”./tvklan.al