Lulzim Basha tha gjatë konferencës për mediat këtë të shtunë se “Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo”.

Ai u shpreh se është përpjekur të gjejë një zgjidhje për situatën e Berishës. Basha tha ndër të tjera se vendimit për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i qëndron 100%

“Së pari pjesa e dytë e pyetjes hedh poshtë çdo alibi shpifje, trillim të kundërshtarit tim politik që tani e dëgjoj nga goja e Sali Berishës, apo disa pseudombështetës së tij që kanë në qëllim nxjerrjen e inateve të tyre, rrezik edhe këto zgjedhje nuk kanë votuar ose kanë votuar kundër PD. Kur bëhet fjalë për interesin e shqiptarëve unë jam peng vetëm i Perëndisë, vetëm i Zotit. Dhe me thënë të drejtën, Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo. Për 3 muaj kam bërë çmos me përpjekjen time për ta zgjidhur këtë çështje. Jam ulur shumë herë me Berishën për të gjetur një zgjidhje që ndihmonte atë dhe nuk dëmtonte PD. Kam pritur, që siç kishte deklaruar vetë, këtë betejë ta bënte në mënyrë personale pa përshirë PD dhe as grupin parlamentar. Kur këtë vendim nuk e konkretizoi, me hapin që do ta bënte ndryshimin mes fjalës dhe veprës, atëherë kam marrë të njëjtin vendim që ishte në favor të PD dhe demokratëve dhe mbi të gjitha në interes të shqiptarëve. Një person përpiqet të bëjë gjithçka që të marrë një parti peng vetëm për interesat e tij personale. Deri para dy muajsh nuk kishte asnjë problem me mua, tani jam unë armiku. 3 apo 4 muaj më parë kishim zgjedhjet për kryetarin e PD dhe çdokush mund të kandidonte, çdo kush mund të mbështeste një kandidat. Rezultati dihet dhe mbështetja që kam marrë nga shumica e demokratëve. Çfarë ka ndryshuar që atëherë përveç interesit personal të një individi që përpiqet të tërheqë një parti të tërë në greminë. Unë nuk jam përgjigjur, dhe nuk do i përgjigjem gënjeshtrave flagrante kundër meje dhe pastaj amplifikohen nga një makineri e tërë që është vënë në lëvizje për këtë punë, ku aksioner i fshehtë është edhe Edi Rama, edhe dikush tjetër se ia bëjnë “mu”. Nuk është stili im në radhë të parë, nuk është rruga ime. Vendimi im ka qenë një vendim i lidershipit të përgjegjshëm ndaj demokratëve, vendim që nuk mund të shmangej, vendim që duhej ta merrja dhe jo të hiqesha mënjanë dhe të shihja PD të zhytej në humnerë. Ky vendim është i marrë jo për mua, për demokratët dhe është vendim të cilit i qëndroj 100%”, tha Basha./tvklan.al