Tre të arrestuarit për vrasjen e biznesmenit Ferdinand Polia kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me këtë ngjarje. Megjithatë policia ka mbledhur fakte dhe dyshon se vëllezërit, Kleandro e Gilbert Toma sëbashku me 20-vjeçarin Alfred Martini janë të përfshirë në atentatin ndaj pronarit të Bujtinës.

Burime pranë policisë së Shkodrës theksojnë se të tre këta persona kanë ndjekur me mjetin Audi për disa ditë viktimën. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se makina ka qenë në vendin ku u gjet i djegur motori Tmax i autorit. Mjeti është në pronësi të arrestuarit Alfred Martini, por ky ka thënë para policisë se ia kishte dhënë shtetasit K.S mëngjesin e 20 Marsit dhe ia ka kthyer pasdite.

Ky person është shpallur në kërkim nga policia si atentatori i Polias. Nga hetimet rezulton se ai ka dalë jashtë shtetit disa orë pas ngjarjes.

Biznesmeni Polia u vra me breshëri plumbash sapo doli nga një servis makinash në fshatin Grudë. Policia është e rezervuar në lidhje me hetimet, por gjithçka është fokusuar tek e kaluara e viktimës, i cili ka qenë i dënuar në Itali për disa vepra penale.

Tv Klan