Pas nënshkrimit të marrëveshjes në muajin Dhjetor, është mbajtur në Romë takimi i parë i tryezës së punës në fushën e sigurisë mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe homologut të tij të Policisë Italiane, Franco Gabrielli.

Kjo tryezë midis policive të dy vendeve synon realizimin e objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe emigrancionit të paligjshëm.

Një tjetër çështje që u diskutua në këtë takim ishte edhe goditja e trafikut të drogës. Në këtë aspekt, dy palët nënshkruaj një protokoll të ri për mbikëqyrjen ajrore nga Guarda di Finanza për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me kanabis në territorin shqiptar.

Të pranishëm në këtë takim ishin ambasadori italian në vendin tonë Fabrizio Bucci, ambasadorja shqiptare në Itali Anila Bitri Lani dhe zv/ministri i Brendshëm Julian Hodaj.

Takime të kësaj natyre mes dy drejtuesve të lartë të Policisë Shqiptare dhe asaj italiane do të mbahen çdo 6 muaj.  /tvklan.al