Synimi tek krijimi i një oferte të përbashkët turistike

Pandemia reduktoi ndjeshëm numrin e turistëve të huaj që frekuentuan vendin tonë përgjatë sezonit veror krahasuar me një vit më parë.

E megjithatë bregdetit shqiptar nuk i munguan pushuesit nga Kosova të cilët ndihmuan bizneset të mbijetojnë. Kreut i unionit turistik shqiptar, Rahman Kasa thotë se synimi është shtrirja edhe të turizmi dimëror për krijimin e një tregu me mbi 5 milionë turistë.

“Kosova njihet për potencialin e turizmit dimëror dhe padyshim edhe për të falenderuar qytetarët e Kosovës të cilët gjatë sezonit veror mbushën hotelet e Shqipërisë edhe bën që të mbijetojnë hotelet e bregdetit në këtë situatë tepër të vështirë që po kalon turizmi për shkak të pandemisë por edhe në kuadër të një bashkëpunimi të vazhdueshëm midis dy vendeve dhe operatorëve të dy vendeve. Për këtë jemi bashkuar që të bëjmë një treg mbi 5 milion që t’ja dalim të vetëm”, tha Rahman Kasa, kreu i unionit Turistik Shqiptar.

Në një aktivitet të zhvilluar në Durrës u firmos edhe një marrëveshje mes dy Unioneve dhe operatorëve turistikë. Për mediat në të dy vendet u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për kontributin dhe promovimin e atraksioneve turistike, një vlerësim të cilin e mori edhe Televizioni Klan.

Tv Klan