Dy bashkëshortë alpinistë janë bllokuar në Valbonë duke eksploruar zonën, për shkak të terrenit të thepisur janë bllokuar dhe nga informacionet paraprake, njëri prej tyre është dëmtuar dhe në pamundësi për të lëvizur.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor, janë nisur në drejtim të zonës ku dyshohet se janë bllokuar alpinistët.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur dhe të largësisë së turistëve nga zona që mund të përshkohet me automjete, është kërkuar ndërhyrja e helikopterit, me qëllim ofrimin e ndihmës për shtetasit e dëmtuar.

Nga informacionet e deritanishme, 2 alpinistët e bllokuar po asistohen edhe nga 2 alpinistë të tjerë, të cilët po eksploronin gjithashtu zonën e Valbonës.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në ndihmë të 4 alpinistëve shkoi helikopteri tip EC 135, i cili i evakuoi ata në 2328 metra lartësi, pasi për shkak të terrenit të thepisur policia dhe ekipi mjekësor e patën të pamundur transportimin e tyre. Po sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, alpinisti i lënduar u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë. /tvklan.al