Bashkëshorti e detyroi të linin Francën pas 9 vitesh, vëllai i tij ra në dashuri me kunatën




Bashkëshorti e detyroi të linin Francën pas 9 vitesh, vëllai i tij ra në dashuri me kunatën

14:08 21/06/2021

Një grua 33-vjeçare, nënë e katër fëmijëve, solli rrëfimin e saj në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan. Fëmija më i madh është 11 vjeç, ndërsa më i vogli 2. Martesa e saj ndodhi në moshë të re kur ishte 21 vjeçe, e nisur nga dashuria, pavarësisht kundërshtimit të prindërve.

Vitet e para të martesës shkonin mirë, edhe jetesa me te afërmit e tij po ashtu, derisa për shkak të borxheve vjehrri shet shtëpinë. Ajo u kthye te prindërit, shtatzënë, derisa morën një shtëpi me qera për të jetuar me bashkëshortin për t’u bashkuar më pas sërish me familjarët e tij për shkak se nuk po mundnin të përballonin vështirësitë ekonomike.

Pas largimit të prindërve të tij për në Gjermani, gjërat nisën të vështirësoheshin edhe më shumë. Burri nuk punonte rregullisht, fëmijët shpesh nuk hanin dhe pas lindjes së dy fëmijëve të parë, nisi edhe dhuna. Kur lindi fëmijën e tretë, Zonja X kërkoi azil politik në Francë së bashku me të dhe fëmijët dhe jetuan për 9 vjet atje si qytetarë të rregullt.

Pas 9 vjetësh, për shkak të disa problemeve të shkaktuara nga kunati dhe një presioni nga bashkëshorti që i kërkonte të ndahej nga familja ose të ktheheshin në Shqipëri, ajo pranoi që të merrnin fëmijët e të ktheheshin.

Zonja X: Kur isha me tre fëmijë, ika në Francë me azil.

Mirela Milori: Me dokumenta të rregullta?

Zonja X: Po, me pasaporta. Ndenja gati 9 vjet.

Mirela Milori: Ke qëndruar 9 vjet në Francë? Bashkë me bashkëshortin?

Zonja X: Po.

Mirela Milori: Jetuat në kamp apo filluat punë?

Zonja X: Jetuam në kamp, më pas morëm shtëpi dhe na e paguante shteti.

Mirela Milori: Si ishte jetesa në Francë?

Zonja X: Mirë. Kur u kthyem, fëmijët qanin, ishin në shkollë atje.

Mirela Milori: Po pse ju kthyen?

Zonja X: Vendosi burri sepse erdhi vëllai i tij e na prishi punë atje.

Mirela Milori: Si ju prishi punë?

Zonja X: Unë isha me mamin dhe motrën, ato jetonin veç. Vëllai i tij rrinte vetëm dhe ne e morëm në shtëpinë tonë, ai u dashurua me motrën time dhe mami më thoshte t’i flisja. Ai (burrri) më rrihte, më thoshte “ose do ndahemi nga njerëzit e tu ose do kthehemi në Shqipëri”. Unë i thashë që nuk ndahem prej njerëzve të mi se na hapi probleme vëllai yt. Ai shkoi e prishi azilin e u kthyem.

Mirela Milori: Vëllai i tij ra në dashuri me motrën tënde? Cili ishte problemi?

Zonja X: Motra ishte e martuar dhe me fëmijë, ai beqar. Ajo iku prej burrit se vuante njësoj dhe fitoi dokumentat në Francë.

Mirela Milori: Domethënë, vëllai i tij me motrën tënde janë bashkë tani që flasim?

Zonja X: Jo, ai është në Shqipëri tani.

Mirela Milori: A flisnit me motrën për këtë? Duheshin apo ishte thjesht një flirt?

Zonja X: Folëm me motrën, ata flisnin me njëri-tjetrin, mami e kundërshtonte.

Mirela Milori: Tani s’e kuptoj, ju pse u kthyet?

Zonja X: Më thoshte “ndahu nga njerëzit e tu ose do kthehemi”.

Mirela Milori: Sepse ti s’ishe dakord që i vëllai po i prishte jetën motrës tënde. Po ai si e shihte këtë raport?

Zonja X: Thoshte “e ka fajin motra jote, pse i flet ajo, e kanë fajin njerëzit e tu”.

Mirela Milori: Hera e fundit që të bëj këtë pyetje, pse duhet të prishnit gjithçka ju atje sepse motra jote dhe vëllai i tij, të rritur, vendosën të kishin një raport, përfundimtar apo kalimtar, punë për ta. Ju pse ikët nga Franca për ta? Ti pse ike? T’i thoshe “nuk vij” e të rrije me fëmijët.

Zonja X: Ika pas tij, kisha frikë të rrija vetëm me fëmijët. Fëmijët qanin, nuk donin të ktheheshin se i kishin të gjitha kushtet dhe ishin rehat.

Mirela Milori: Nuk e mendove të ardhmen, shkollimin e tyre atje? Më mirë vetëm dhe me një shkollim, të bëheshin qytetarë franceze sesa të ktheheshe në Shqipëri me të? I mendove këto?

Zonja X: I mendova, por i mendova kur ika.

Mirela Milori: Po nëna jote ç’të thoshte?

Zonja X: Ajo më lutej, më thoshte “rri se më ke mua këtu, të ndihmoj unë për çdo gjë”, por ne kishim firmosur./tvklan.al





Të ngjashme