Në vitin 2016, rrjeti ku bënte pjesë Xheja zbulohet dhe arrestohen 13 persona, midis tyre edhe Xheja. Ajo u mbajt 24 orë në arrest, pas të cilit masa e sigurisë që u vendos për të ishte arrest shtëpie për një vit në shtëpinë e Elvirës, në Lezhë, të cilin e mbaron në vitin 2017.

Pas mbarimit të dënimit, Xheja vendos të largohet për një jetë më të mirë drejt Italisë dhe dëshironte që vajzën t’ia linte Elvirës. Bashkëshorti nuk e pëlqeu këtë mendim të sajin, e kundërshtoi dhe e kërcënoi se do t’i bënte keq prindërve të Xhejes nëse ajo vepronte në mënyrë të tillë.

Xheja detyrohet të marrë një prokurë noteriale për t’ia lënë vajzën Dritanit për një periudhë tre mujore, por tani ai nuk pranon t’ia japë më vajzën.

Ardit Gjebrea: Tashmë kaloi një vit dhe ti e ke mbaruar dënimin.

Xheje Dunga: Po, po e kam mbaruar me kohë.

Elvira: Në 2017 e ka mbaruar.

Xheje Dunga: Isha me gjithë fëmijën, e mbarova.

Ardit Gjebrea: Ishe me vajzën tënde?

Xheje Dunga: Po, po rrija me vajzën, nuk e lëshova.

Ardit Gjebrea: Tani me kë jeton ti?

Xheje Dunga: Nga ajo ditë pastaj, në 2017, thashë po largohem për një jetë sa më të mirë, për një vend pune.

Ardit Gjebrea: Ku shkove?

Xheje Dunga: Në Itali. E pyeta “Dritan, ku ta lë vajzën, ta lë te mami?” Ai nuk ishte dakord që unë ta lija te mami im dhe më kërcënoi që nëse e lija “do të vij atje dhe nuk e di se çfarë do t’i bëj mamit tënd dhe babit tënd”. Unë u detyrova t’ia lija 3 muaj me një prokurë te mami i tij, jo imja. Ia lashë asaj, u nisa më përpara se nuk më priste puna. Më pas erdhi edhe ai. Unë shkoja të takoja vajzën rregullisht, i jam përgjigjur vajzës deri në 2019 me rroba e ushqim se është fëmija im, e kisha për detyrë.

Eni Çobani: Pra, ti ia dhe vajzën për 3 muaj me prokurë dhe ai nuk e solli më.

Xheje Dunga: Po, nuk e solli më.

Ardit Gjebrea: Ah, e ka ai vajzën.

Eni Çobani: Po. Pra, Dritani që po na ndjek në këto momente, sot ka 3 fëmijët e tij, ka fëmijën e zonjës nga martesa e parë dhe fëmijën me Xhejen. Kemi 5 fëmijë të ndryshëm që jetojnë nën një çati familjare ku qëndron Dritani me bashkëshorten aktuale.

Prokura që Xheja i ka dhënë bashkëshortit, Dritan Kullës, i jep atij të drejtën për të shkolluar fëmijën për një vit, pas përfundimit të së cilës, ai nuk ia ka kthyer vajzën. /tvklan.al