Teuta Krasniqi foli këtë të hënë tek “Rudina” për martesën e saj me Adonis Morinën, bashkëshortin me të cilin ka një vajzë 4-vjeçare. Aktorja nga Kosova u njoh me trajnerin e fitnesit disa kohë pasi i kishte dhënë fund martesës me këngëtarin Blero, me të cilin ka gjithashtu një vajzë 10-vjeçare. Duke folur për Adonisin, aktorja tregoi se u bind për dashurinë e tij kur ai bëri syrin e saj tatuazh në kurriz, ndërsa unaza me të cilën ai i propozoi për martesë, Adonisi shkoi deri në Meksikë për ta dizenjuar. Teuta e cilëson bashkëshortin e saj një njeri të rrallë.

“Adonisi është me të vërtetë njeri i rrallë. Ndoshta po bie disi pa lidhje që po flas në këtë mënyrë se duket sikur po e lavdëroj, por ne themi e vërteta është hallall me u thënë dhe me të vërtetë nuk mundem me i hy në hak, sepse është me të vërtetë shembull. Jam e lumtur që lidhja ime me Adonisin dhe Adonisi vetë si person ka filluar me u bërë inspirim për shumë njerëz që e kalojnë, këtë sfidë se mirë apo keq po nisin me ndodhur shumë më shpesh edhe thjesht Adonisi prej fillimit e ka ditë jetën time, e ka kuptuar kush jam pavarësisht se nuk më ka njohur më herët sepse ka jetuar në Angli, edhe nuk ka ditur as kush është Teuta Krasniqi, as kush janë të tjera fytyra publike, kështu që ne të dy kemi hyrë në një lidhje si njerëz të pjekur.

Unë kam pasur shumë momente të tilla në jetë dhe familjen e kam pasur shumë mbështetëse në çdo vendim që kam marrë dhe të gjithë e kemi prioritet Tarën. Edhe Adonisi natyrisht kur ka hyrë në lidhje me mua e ka kuptuar gjithë realitetin dhe prioritetet e mia dhe gjithçka, edhe më ka dëshmuar që është njeriu që duhet me i besuar dhe me e pas në jetën time, edhe të ardhmen më tutje”./tvklan.al