“Bashkëshorti tani bën 100 vjeç, por mua më duket sikur po bën 20 vjeç…”



“Bashkëshorti tani bën 100 vjeç, por mua më duket sikur po bën 20 vjeç…”

14:17 14/02/2020

Emisioni “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e pazakontë të dashurisë. Meliha Muça 86 vjeç nga qyteti i Shkodrës ka rrëfyer në studio peripecitë, që ajo dhe bashkëshorti Ismaili, sot 98 vjeç, kanë kaluar për të qenë së bashku.

Kur ishte 16 vjeç, Meliha u fejua me mblesëri me Ismailin, gjërat po shkonin mirë mes tyre dhe ata vendosën të martohen, por 10 ditë para martesën, të fejuarin e saj e arrestojnë dhe e dënojnë me vdekje. Pas 3 muajsh dënimi ndryshon dhe ai dënohet me 25 vite burg dhe Meliha vendosi të mos e prishë fejesën, por ta presë atë deri sa të dilte nga burgu.

Në studio, Meliha tregon se ka kaluar shumë vështirësi gjatë kësaj periudhe. Për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, ajo shiste gjak për të takuar Ismailin në burg.

Meliha e priti për 14 vite dhe sot ata kanë dy fëmijë, janë bërë gjyshër dhe stërgjyshër, por ende vazhdojnë ta duan njëri-tjetrin, si ditën e parë kur janë njohur.

Mirela Milori: Ke një histori të veçantë. Cili është çelësi i kësaj marrëdhënie që ke pasur ti, që nga viti ’50 me të njëjtin burrë, me të cilin solle në jetë dy fëmijët e tu, ke rritur nipërit dhe mbesat, po rrit stërnipër, stërmbesa dhe po shkon në një tjetër fazë të jetës po me të njëjtin njeri. Cili është çelësi këtij suksesi?

Meliha Muça: Çelësi është vetëm një drejtësi, një shpirt, një dashuri, një gjë që nuk është e përshkrueshme. Nuk besoj se ka çift dhe nuk besoj se do të ketë që ne sa vjet që jemi bashkë nuk kemi thënë një fjalë të keqe.

Mirela Milori: E do akoma Ismailin?

Meliha Muça: Ai tani po bën 100 dhe mua më duket sikur po bën 20 vjeç!

Mirela Milori: Po ai të do, të thotë?

Meliha Muça: Aq duket sa, nuk e di, ndoshta shkoj unë përpara, por nuk e imagjinoj jetën pa të. Më thotë djali, vajza hajde, por nuk më hyn në sy kurkush, edhe djali, vajza kanë vendin e vet, por ai është krejtësisht i veçantë.

Mirela Milori: Po ai ta shpreh dashurinë tani?

Meliha Muça: Po ai boll!

Mirela Milori: Çfarë të thotë?

Meliha Muça: Kur ishte në burg thoshte më sillni vetëm Melin ta shoh, se ajo më mban gjallë.

Mirela Milori: Keni ndonjë emër me njëri-tjetrin? Si të thërret ai?

Meliha Muça: Ashtu themi, dashuri, shpirt, xhan./tvklan.al




Të ngjashme