Historia e sotme e trajtuar në “Historia Ime” nën drejtimin e Mirela Milorit është një histori sa e pazakontë, aq dhe e rëndë. Ariani është baba i 3 fëmijëve, i cili është braktisur nga gruaja. Marrëdhënia e tij me bashkëshorten është tepër e komplikuar dhe historia e tyre është bërë publike më herët në një tjetër emision, ku Elida i është drejtuar publikisht duke i kërkuar që ta falë dhe të hedhë pas krahëve momentet e vështira të martesës së tyre.

Në rrëfimin e saj publik, ajo pranonte se e kishte denoncuar dy herë Arianin për dhunë dhe ai ishte dënuar me 8 muaj burg. Debatet sipas saj lindnin nga xhelozia e Arianit, i cili edhe në këtë rast sipas Elidës nuk kishte faj, sepse ajo e kishte tradhtuar gjatë kohës që ai ishte në burg.

Në emision, bashkëshortët u pajtuan për hir të familjes dhe duket se marrëdhënia mes tyre u përmirësua. Por një ditë, Elida e braktisi sërish bashkëshortin dhe fëmijët e saj. Ariani mbeti vetëm me 3 fëmijët. Fëmija më i madh është 5 vjeç, vajza, e cila është me autizëm, vetëm 2 vjeç dhe fëmija i tretë vetëm 1 vjeç.

Për shkak të gjendjes së vështirë dhe në pamundësi për të lënë dikë që të kujdeset për 3 fëmijët, Ariani nuk mundi të ishte i pranishëm në studion e “Historia Ime”. Në një lidhje direkte me gazetaren Eriselda Martini, e cila shkoi pranë familjes së tij në Shkozë, Ariani tregoi situatën e vështirë në të cilën ndodhet, mungesën e përkrahjes nga ana e familjarëve të cilët e kanë paragjykuar, ndërsa bëri thirrje për ndihmë, për 3 fëmijët e mitur.

Ariani: Unë kam bërë dy herë burg dhe prap kam ardhur tek fëmijët dhe e kam falur për tradhtinë që më ka bërë shumë herë, e kam falur për hir të fëmijëve. Njërën gocë e kam me autizëm, është dy vjeçe. Kam menduar se do kthehet, do pendohet dhe do shpërblejë me sjellje atë që ka bërë shumë herë.

Gazetarja: Njerëzit janë të gatshëm që të të paragjykojnë, por ti je i varfër dhe ke të drejtën tënde për të bërë një apel për të ndihmuar fëmijët e tu.

Ariani: Unë i bëj apel shtetit dhe sidomos Erion Veliajt. Jam banor i njësisë numër 1, kam punuar në shërbim të popullit 15 vite shofer autobusi dhe e kam pasur shtëpinë tek Materniteti i Ri, që u shembën dhe kërkoj nga ai një banesë sociale për këta fëmijë dhe një ndihmë për këta fëmijë.

Gazetarja: Bashkëshortja ka një muaj që u largua nga shtëpia, ju e falët dhe ajo u rikthye, çfarë ndodhi?

Ariani: Unë e fala erdha, dola, s’kam dy muaj e gjysmë që kam dalë se është e dyta herë që e bën këtë punë. Më ka bërë be, më ka thënë do jetë nënë shembullore për fëmijët. Kam qenë duke pirë kafen në mëngjes dhe ajo më ka rënë në telefon, më ka dalë i zënë telefoni. Më ka shkruar një mesazh që: Ti bie telefonit, por të del i zënë dhe mesazhi tjetër ishte: Amanet fëmijët, lamtumirë, unë nuk mundem më. Kaq më ka thënë.

Gazetarja: Ka pasur ndonjë arsye që të largohet nga banesa?

Ariani: Elida mesa më ka treguar dhe goca që e kam 5 vjeçe, kur unë kam qenë në burg ka bërë shumë pisllëqe, sa edhe fëmijët i ka mbyllur. Elida ndoshta edhe është mërzitur me fëmijët, sepse shumë herë më thoshte që: Ma kanë sjellë fëmijët në majë të hundës, nuk po duroj dot më. S’po bëj rehat, s’po fle dot gjumë. Unë nuk e paragjykoj, ajo ka bërë zgjedhjen e saj.

Gazetarja: Keni komunikime me persona që Elida mund të ketë ikur me ta?

Ariani: Nuk e di. E di që është mirë. Ka folur me një shoqen e saj dhe i ka thënë merre Arianin dhe pyete si janë fëmijët. Ajo i ka thënë pse se merr vetë, pse ike. Ka thënë le t’i mbajë fëmijët siç i mbajta unë. Nuk më intereson jeta e saj private, më intereson të jetë mirë.

Ariani rrezikon të dalë edhe nga banesa ku jeton, sepse nuk ka më mundësi të paguajë qiranë e banesës.

Gazetarja: Arian merr ndihmë ekonomike?

Ariani: Me këto probleme që kam pasur, gjithmonë me nënën e fëmijëve të mi, se nuk dua ta shaj apo ta ofendoj sepse e mirë apo e keqe, ajo është nëna e fëmijëve të mi. Sa herë që doja të bëja dokumentet ajo më nxirrte probleme, ikte, merrte fëmijët, më shkatërronte. S’kam qenë i qetë për t’u marrë me letra.

Sakrificat e Arianit për fëmijët e tij janë të shumta, sepse ai jo vetëm i ka kërkuar bashkëshortes të rikthehet me të pas tradhtisë, por ka dashur të shesë edhe veshkën për të ndihmuar fëmijët. Gjithashtu, në një moment dobësie ai ka dashur edhe të vetëvritet në kohën kur ishte në burg.

Të ftuar në studio për të diskutuar situatën ishte: Ilir Korbi avokat dhe Valentina Telhaj psikologe.

Telhaj shprehet se është një situatë e vështirë dhe një ngarkesë e rëndë emocionale për fëmijët.

Ishte vërtet një ngarkesë e madhe emocionale për ne që jemi të rritur, jo më për fëmijët. Gjendja e tyre është shumë e mbingarkuar në tërësi, jo vetëm mosha e tyre”.

Në një situatë të tillë, sipas avokatit Korbi, nëse nëna braktis fëmijët nën moshën 16 vjeç, dënohet me një sanksion nga disa muaj deri në 3 vjet.

Në rastin konkret parashikohet si vepër penale. Ligji parashikon rastin kur njëri nga ish-bashkëshortët ose bashkëshorti braktis fëmijën nën moshën 16 vjeç, dënohet me një sanksion, i cili parashikohet nga disa muaj deri në 3 vite dhe gjobë, sepse kemi të bëjmë me një kundërvajtje penale. Është paksa e vështirë të përcaktohet elementi braktisje, sepse nuk janë të pakta nënat që largohen për emigrim“.

Bashkia mori përsipër të paguajë dy muajt e parë qiranë dhe më pas Ariani të kalojë në programin e bonusit për pagesën e qirasë dhe merr përsipër t’i gjejë punë. Ariani gjithashtu i mundësohet kryerja e procedurave të divorcit falas./tvklan.al