Bashkëthemeluesi i Facebook, Chris Hughes i ka bërë thirrje qeverisë amerikane që të vendosë rregullatorë federalë për rrjetin social. Sipas tij, drejtori ekzekutiv i kompanisë Mark Zuckerberg është kthyer një person shumë të fuqishëm, ndërsa Facebook është shndërruar në monopol.

“Është koha për të thyer Facebook. Pushteti i Zuckerberg është i paprecedent

“, thotë ai një shkrim të botuar në New York Times.

35-vjeçari Hughes ka qenë shok dhome në universitet me Zuckerberg dhe ka ndihmuar në krijimin e Facebook. Ai u largua nga kompania në vitin 2007 për t’iu bashkuar fushatës së parë presidenciale të Barack Obamës. Ndërsa në vitin 2012, ai shiti të gjitha aksionet që posedonte në Facebook.

Në shkrimin e tij, Chris Hughes argumenton se kërcënimi më i madh në Facebook është kontrolli i njëanshëm nga Mark Zuckerberg mbi fjalën e lirë.

“Influenca e Zuckerberg është tronditëse, shumë më e madhe se sa e të tjerëve që punojnë në sektorin privat apo në administratë”

, shkruan bashkëthemeluesi i Facebook.

Chris thotë se është pikërisht Zuckerberg personi që përcakton rregullat dhe mënyrën si të kategorizohet një fjalim mbi dhunën apo me fjalë ofenduese. Për këtë arsye, ai i kërkon qeverisë që të përcaktojë rregulla të forta për të vendosur kontroll më të rreptë mbi Facebook.

/tvklan.al