Në muajin e Ramazanit, Bashkia e Tiranës, Fondacioni ALSAR dhe organizata TIKA dhuruan një mijë pako me ushqime për fëmijët pa prindër dhe familjet në nevojë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi ambasadorin e Turqisë, Murat Ahmet Yörük, si dhe drejtuesit e ALSAR-it dhe TIKA-s, dhe theksoi se Tirana është bërë një qytet më solidar me njerëzit në nevojë.

Kryebashkiaku Veliaj tha se pakot ushqimore janë një ndihmë për njerëzit në nevojë, por sidomos për fëmijët, të cilët duhet të mendojnë për mësimet dhe jo për ushqimin.

“Një paketë ushqimore nuk i zgjidh të gjitha problemet, por sigurisht është e nevojshme kur familjet janë duke kaluar një kohë të vështirë, që fëmijët të mos mendojnë për ushqimin, por si të marrin dhjeta në shkollë, të merren me aktivitet sportiv dhe ndihmon sidomos nënat, për të përballuar barrën më të madhe në familje. Kemi mbi një mijë paketa për fshatrat, ashtu siç do të ketë edhe 3500 pako për gjithë zonën urbane të Tiranës”

, tha Veliaj.

Ai shtoi se bashkëpunimi me ambasadën turke dhe donatorët ka qenë përherë i suksesshëm, qoftë në nismat solidare për njerëzit në nevojë, qoftë për aksione si mbjellja e pemëve apo ndërtimi i këndeve të lodrave. Veliaj tha se në çdo mbrëmje të muajit të Ramazanit, Bashkia e Tiranës do të shtrojë vakte për njerëzit në nevojë në të gjitha qendrat e saj sociale.

“Në të gjitha mensat tona sociale do të shtrojmë çdo natë iftar për familjet në nevojë”

, vijoi ai.

Veliaj ftoi qytetarët që kanë mundësi ekonomike apo edhe bizneset që duan të shprehin përgjegjësinë e tyre sociale, të dhurojnë diçka për njerëzit në nevojë.

“Dua të ftoj këdo që ka mundësi, që të hapë shtëpinë e tij në muajin e Ramazanit për dikë që është në nevojë. Do të shërbejmë vakte në mensat tona sociale, në shtëpitë e të moshuarve, në shtëpitë e fëmijës dhe kudo tjetër ku ka nevojë

”, tha ai.

Por, që bamirësia dhe solidariteti të mos mbeten thjesht për raste emergjencash apo festash, kreu i Bashkisë së Tiranës shtoi se synimi është që ndihma për njerëzit në nevojë të kthehet në diçka të përhershme.

“Shpresa ime, por edhe shpresa e miqve këtu, është që siç sillemi me solidaritet në muajin e Ramazanit, ta kthejmë në standard për 11 muajt e tjerë. Nëse sillemi çdo muaj me të njëjtin solidaritet, mund të kemi qytetin më solidar në Shqipëri, që është qyteti i Tiranës”

, shtoi Veliaj.

Ai përcolli mesazhin se mënyra për t’i shërbyer vendit është puna dhe jo fjalët.

“Pavarësisht pozitës, nëse dikush është kryetar apo ambasador, drejton një organizatë, një agjenci, biznes, media apo parti politike, eja të punojmë për vendin tonë, për Tiranën dhe për Shqipërinë. Pyetja që duhet të na shqetësojë çdo ditë është: sa punë të mira bëmë sot? Sa njerëz ndihmuam sot? Sa halle zgjidhëm sot? Nëse do të orientohemi nga ky pasion për t’u shërbyer njerëzve, atëherë do të kemi shumë ditë të bukura si kjo e sotmja

”, tha kreu i bashkisë.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük tha se muaji i Ramazanit duhet t’i bëjë njerëzit bashkë dhe të kujdesshëm ndaj atyre në nevojë. Ai falenderoi TIKA-n dhe ALSAR-in për ndihmën që i kanë ofruar jetimëve dhe familjeve në nevojë të Tiranës.

“Muaji i Ramazanit është muaji i ndihmës, i solidaritetit, i zgjatjes së dorës për ata që janë në nevojë dhe muaji që i bën njerëzit më të mirë. Jemi sot këtu për këtë qëllim, për t’i zgjatur dorën e ndihmës vëllezërve tanë shqiptarë në këtë muaj të bekuar

”, tha ambasadori Yörük.

/tvklan.al