Emisioni “Stop” skanoi se çfarë ka ndodhur me Bashkinë e Vorës dhe pse u ndërruan 3 kryetarë në këtë bashki për çështje interesash të ngushta.

Në zgjedhjet e 30 Qershorit, PS mori pas 16 vjetësh Bashkinë e Vorës me kandidaturën e Agim Kajmakut. Por ky i fundit u eliminua nga lufta brenda llojit e duke përdorur kleçka të ligjit të dekriminalizimit. Siç u shkatërrua godina nga tërmeti edhe administrata e Vorës filloi të shkërmoqej.

“Lufta më e madhe është lufta brenda llojit. Edhe pse bëhet kjo luftë, ku e ka burimin? E ka tek niveli i njerëzve”, tha Petrit Shera, themelues i PS në Vorë.

Vora or mik është me fitim të madh dhe mendohet që Vora do të ndryshojë, do të ketë shumë tendera. Agim Kajmakun e panë se e kishte kokën shkëmb, nuk mund ta përdorte kush dhe përfundimisht i shpallën luftë derisa e shkatërruan plotësisht”, tha Metush Tata, kryetar i PS-së në Domje.

Pas spostimit të Kajmakut, drejtimin e bashkisë e marrin dy nënkryetarët Hekuran Brahimaj dhe Loreta Omeri. Pak muaj më vonë, Brahimaj shpallet kryetar i Bashkisë Vorë. Ky i fundit me marrjen e detyrës krijoi shumë probleme me biznesin e zonës dhe rivlerësimin e taksave.

Më 14 Mars 2020, bashkia u ka dërguar gjithë bankave urdhër për të bllokuar llogaritë bankare bizneseve që ajo mbledh taksat.

“Ky është një rast iu paprecedent dhe acarues komplet sepse edhe bllokimi është bërë për rivlerësim të taksave të 2019-ës, 2018-ës dhe për çudi në subjektin tim për taksat e 2012-ës. Kjo është skandaloze”, shprehet një qytetar për “Stop”.

“Nuk duam që biznesin ta dëmtojmë apo t’i vemë shkelmin në fyt”, shprehte më parë Brahimaj. Më vonë ai pranoi fajin për bllokimin e bizneseve.

“Kjo tregon që një pjesë e stafit tim këtu ose nuk janë të aftë, unë sot bile kam ngrit edhe një grup sepse biznesi në fjalë që ishte ankuar dhe që foli me ju… Unë nuk e paragjykoj sepse ai mund të ketë edhe shumë të drejtë. Kam ngritur një grup, i cili do të shkojë të verifikojë në vend që nëse ne ose stafi i ka rënë në qafë ose ka bërë llogaritë gabim, patjetër që do të kërkojmë ndjesë”, shprehej Brahimaj.

Por çfarë ka ndodhur me bllokimin e bizneseve?

Gazetari: Si je?

Informacioni Bashkia Vorë: Përshëndetje! Si kaluat?

Gazetari: Atë përgjigjen s’e kemi marrë akoma.

Informacioni Bashkia Vorë: Ja të shikojmë tani..

Gazetari: Të lutem, se kam një orë, e kanë gati, s’e kanë gati? Kaq…, se kam që në 12 e 30 e kupton, kaq e vështirë është të kthejnë përgjigje?

Informacioni Bashkia Vorë: S’ka përgjigje..

Gjatë pritjes së përgjigjes pranë Bashkisë së Vorës kishte një sërë shqetësimesh nga banorët. Këtij skandali iu shtua edhe ai i menaxhimit të situatës së tërmetit, me ndarjen e ndihmave, bonusit të qirasë dhe ndërtesave të dëmtuara.

Banorë të Vorës: Më thotë mua je pensioniste, të jem pensioniste, një herë në muaj e sëmurë. Tërmeti jashtë na ka nxjerrë të gjithëve, pse s’na jepni dhe neve, të gjithëve njësoj?

Gazetari: S’keni marrë ju?

Banorë të Vorës: Po na jepni të gjithëve nga pak, jo me hatër, me korrupsion të madh.

Qytetarja: Atje janë t’u marrë të gjithë ata persona që jetojnë në shtëpi të veta. Ne jemi DS5 na ka ra tarraca, marr një pension, 135 mijë lekë në muaj dhe rri në bodrum që nuk ka dritare.

Banorë të Vorës: Jemi në pikë të hallit, nuk e dimë, çfarë do bëhet. Jemi shumë të tensionuar.

Fëmijë: O xhaxhi, po të gjithë kanë marrë ndihma.

Gazetari: Po ju s’keni marrë?

Fëmijë: Jo!

Por skandali thellohet. Persona, që jetojnë jashtë Shqipërisë figurojnë në listat e përfituesve të qirasë, si të dëmtuar nga tërmeti dhe objekte të dëmtuar pak, janë paguar sikur si të shkatërruara totalisht.

“Rreth 200 persona nga Bashkia e Vorës që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë trajtohen me këtë bonus qiraje. Se ku fle lepuri vetëm Bashkia e Vorës mund të na e japë këtë përgjigje”, tha gazetari.

Hekuran Brahimaj është biznesmen nga qyteti i Vorës. Me marrjen e postit të kryetarit të Bashkisë Vorë ai emëroi si kryetar urbanist për rindërtimin Bledi Saraçin, i cili figuron i punësuar tek Ilirjan Construktion Ingeneries, kompani që ka bërë planin e rindërtimit për këtë bashki.

Sipas këtij dokumenti zyrtar figuron që persona që jetojnë jashtë Shqipërisë kanë dalë si të dëmtuar nga tërmeti nga sektori i Urbanistikës në Bashkinë e Vorës. Figuron me dokumentacion që banesa të dëmtuara shumë pak nga tërmeti, që kanë nevojë vetëm për meretime janë paguar nga kjo bashki sikur të jenë dëmtuar tërësisht.

Abuzimi shkon deri aty ku barake me llamarina janë shpërblyer si vilë e dëmtuar nga tërmeti. Flitet që linja kalon nëpërmjet kryetarit të Këshillit Bashkia, Gaz Zela, i cili ka bashkëshorten e tij Jolanda Kepin, drejtoreshën e Burimeve Njerëzore në Bashkinë e Vorës.  

“Mësova nga portali i Bashkisë në mënyrë të fshehtë se nuk i hedhin vendimet se, Këshilli Bashkiak ka marrë një vendim më datë 21/4/2020, por del që mbledhjen e ka bërë online me datë 24. E ka marrë 3 ditë përpara se të bëjë mbledhjen. Falsifikimet e Bashkisë lidhur me këtë pronë vazhdojnë herë pas here”, tha Shkëlqim Çelaj, duke folur për mekanizmin abuzues që është përdorur për vlerësimin e pallatit të tij të dëmutar./tvklan.al