Bashkia e Kukësit kallëzon në SPAK ish-kryetarin e saj

Bashkia e Kukësit kallëzon në SPAK ish-kryetarin e saj

10:50 19/11/2020

Bashkia Kukës ka kallëzuar në SPAK ish-kryetarin e Bashkisë, Bashkim Shehu. Kryetari aktual i bashkisë, Safet Gjici, doli në një deklaratë për mediat ku publikoi shkeljet e konstatuara nga auditi i brendshëm i Bashkisë Kukës, auditimi i jashtëm i Ministrisë se Financave dhe ai i KLSH.

“Shkeljet dhe mosrespektimet e ligjit në fushën e prokurimit publik dhe të fushës së menaxhimit financiar publik te kryera ne periudhën 2017-2018, konstatuar nga Drejtoria e Inspektimit Financiar, pranë Ministrisë se Financave ne muajin Prill 2020.​Nga ana e Bashkisë Kukës, gjate vitit 2017-2018 dhe konkretisht nga ish-Kryetari i Bashkisë dhe Drejtori i Financës, te cilët me dashje dhe me qellim, kane shpërdoruar (pa dokumentacion justifikues ose ne disa raste justifikuar me dokumentacion fiktiv), rreth 600,000 USD për blerje nafte. Ka dyshime te arsyeshme se ky karburant është përdorur kryesisht nga ish Kryetari i Bashkisë z. Shehu, ne shkelje te plote te ligjit pasi përdorimi i tij është bërë me qellim furnizimin e mjeteve te transportit ne interes dhe ne mbështetje te fushatës elektorale te Partisë Demokratike. Drejtoria e Financës, ne dijeni, me kërkese, për interes dhe ne mbështetje te plote nga ish Kryetari z. Shehu ka shpërdoruar fondet publike dhe konkretisht nafte për nevoja personale, elektorale te subjektit politik (si p.sh. Transportimi i militanteve me autobus për ne drejtim të Tiranës ku edhe zhvilloheshin mitingjet politike, transporti për llogari te zgjedhjeve etj) dhe jo për nevojat e institucionit.

2- Drejtoria e Auditimit të Brendshëm pranë Bashkisë Kukës, në zbatim të programit të angazhimit të auditimit me nr. 393 prot, datë 08.08.2019, si dhe programit shtesë nr.521/1 prot, datë 06.09.2019, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Kukës, për veprimtarinë e institucionit nga data 01.07.2017 deri më 30.06.2019, ku ka konkluduar ndër të tjera se:

Bashkia Kukës, nuk ka marrë masa për miratimin nga Thesari përpara fillimit të procedurave të prokurimit, dhe mos raportimin e saktë dhe në kohë të angazhimeve dhe shpenzimeve buxhetore. Gjithashtu strukturat përgjegjëse të Bashkisë Kukës (ish-Titullarit/Kryetarit të Bashkisë), megjithëse në dijeni të shkeljeve nga Autoriteti Kontraktor, si në rastet e shkeljeve të afateve të regjistrimit të angazhimeve dhe shpenzimeve, nuk ka marrë asnjë masë administrative konkrete për të disiplinuar procesin, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Ndërkohë këto struktura kanë kontribuar në krijimin e mundësive për kapërcimin e kontrolleve si në rastin e mos regjistrimit të planit buxhetor sipas  Programi Buxhetor Afatmesëm (PBA), lejimit të regjistrimeve të fragmentarizuar të urdhër- prokurimeve, kontratave, dhe faturave në Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ),  për shkak të mungesës së fondeve buxhetore disponibël. Po ashtu është hartuar dhe miratuar shtesë regjistri “Regjistri i Parashikimit të Prokurimeve Publike”, edhe keto shtesa rezultojnë te pakonfirmuara nga dega e Thesarit”, tha Gjici.

Ish-kryetari Bashkim Shehu

Si pasoje vetëm nga Bashkia Kukës për këtë periudhe kohore është akumuluar një borxh rreth 20 000 000 $.

“Një shumë kjo tepër e konsiderushme për një bashki te vogël e cila ka një buxhet modest si dhe referuar faktit se me këto para thuajse nuk është bërë asgjë për komunitetin ne këtë bashki”, tha Gjici.

“Po ashtu gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fushën e prokurimit publik, dhe të fushës së menaxhimit financiar publik, kryesisht në:

– Përzgjedhjen e procedurës së prokurimit.

– Administrimit të dokumentacionit fizik.

– Mungesën për të marrë vulën e konfirmimit të fondeve disponibël në Degën e Thesarit përpara se të fillojë procesin e tenderimit.

– Kualifikikim dhe shpalljen fitues pa të drejtë të operatorëve ekonomik të cilët nuk plotësojnë kriteret e vendosura në DST, duke mos garantuar kryerjen me cilësi e sukses të kontratës, me pasojë përdorim të fondeve publike për investime, pa ekonomicitet, efiçencë dhe efektivitet në vlerën totale 1,645,591,090 lekë, në kundërshtim me kërkesat ligjore si dhe në shkelje të parimit të barazisë para ligjit”, shtoi më tej ai.

Shehu akuzohet për konsumimin e elementëve të veprave penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim,  “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” në bashkëpunim, “Pastrim të produkteve të veprës penale, ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga nenet 248 , 258, 287 dhe 25, te Kodit Penal./tvklan.al





Të ngjashme