Nis procedurat për denoncimin e kreut të PD

Në një deklaratë për mediat, Bashkia e Tiranës akuzon kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, se së bashku me 4 shoqërues të tij, pasditen e kësaj të marte kanë hyrë me dhunë në ambientet e godinës Numër 4 në Qytetin Studenti, duke dhunuar recepsionisten e kësaj godine. Bashkia dënon dhunën që sipas saj është ushtruar ndaj punonjëses në fjalë dhe shprehet se ka nisur procedurat për denoncimin e Bashës.

“Pasditen e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me 4 shoqërues të tij, jo studentë, të pajisur me kamera për show-n e radhës, ka hyrë me dhunë në mjediset e brendshme të Godinës Nr. 4 në Qytetin Studenti. Bashkia e Tiranës dënon dhunën e ushtruar ndaj recepsionistes së Godinës nr. 4 në Qytetin Studenti nga qytetari Basha dhe tabori i tij i figurantëve, që prej disa ditësh kanë nisur të xhirojnë klipe nëpër Tiranë, si këngëtarë tallavaje, dhe dëshiron të informojë qytetarët se ka nisur menjëherë procedurat për denoncimin e tij para organeve ligjzbatuese si dhunues”.

Bashkia e Tiranës sqaron më tej se në mjediset e godinave të Qytetit Studenti mund të hyhet vetëm duke marrë një leje paraprake pranë Drejtorisë së Konvikteve, procedurë e cila ndiqet rigorozisht edhe nga familjarët e studentëve që banojnë në ato godina. Sipas Bashkisë, Lulzim Basha nuk ka kërkuar dhe nuk ka marrë leje për të hyrë në Godinën nr.4.

Ndërkaq, Bashkia thotë se Godina nr.4 është një nga ndërtesat e cila do të rikonstruktohet sipas projektit të kancelares gjermane Angela Merkel, i cili po zbatohet nga KFW-ja. Kjo e fundit ka ndihmuar edhe në rikonstruksionin e godinave të studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë, tashmë të përfunduara, e ndërkohë po vijon punën për rikonstruksionin e 4 godinave të tjera në Qytetin Studenti. Në total, Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar 22 konvikte për studentët që studiojnë në Tiranë.

Nisur nga kjo, Bashkia i drejton disa pyetje Bashës.

“Sa konvikte keni rikonstruktuar apo ndërtuar, në 4 vjet si kryetar i Bashkisë së Tiranës? Sa shkolla keni rikonstruktuar apo ndërtuar, në 4 vjet si kryetar i Bashkisë së Tiranës? Sa karta studenti keni dhënë për studentët e Tiranës, në 4 vjet si kryetar i Bashkisë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë: Zero! Zero! Zero! Sepse Lulzim Basha jo vetëm që nuk ndërtoi e as rikonstruktoi ndonjë konvikt për studentët, por sot drejton partinë që zaptoi 3 konvikte për 30 vjet”.

“Lulzim Basha, në sytë e qytetarëve të Tiranës si ish kryetar i Bashkisë është një zero, i cili nuk do të bëhet kurrë Kryeministër me një CV të mbushur me zero në çdo punë të dhuruar nga partia, që po e shkatërron përditë. CV-në e mbushur me zero nuk do mund t’ia pastrojnë as videot e xhiruara nëpër Tiranë me figurantë të marrë borxh nga Forumi Rinor i PD-së“, e mbyll deklaratën e saj Bashkia e Tiranës./tvklan.al