Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare iu bashkua thirrjes së Bashkisë së Tiranës, që në prag të festave të fundvitit, të sjellë pak gëzim e dashuri për shtresat më në nevojë të shoqërisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetari i AMF-së, Ervin Koçi, shërbyen një drekë festive të gjithë njerëzve në nevojë, kryesisht të moshuar, që frekuentojnë Qendrën Sociale të Bashkisë së Tiranës në Bulevardin “Zogu I”. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi AMF-në për gatishmërinë që tregoi për t’iu bashkuar nismave solidare të Bashkisë së Tiranës në kohë festash.

 “Janë të rralla ato institucione të cilat thonë, nuk do të mendojmë vetëm për veten tonë, por për ne, pjesë e organizimit të fundvitit, do të jetë edhe një drekë, një vakt i ofruar për qendrat tona sociale. Ndaj, për këtë arsye të falenderoj me gjithë zemër. Arsyeja pse e them këtë është se asnjë njeri nuk ia del dot i vetëm. Një kryetar, një bashki, një staf sado të bëjë, qyteti është i stërmadh, nevoja është e stërmadhe, projektet janë shumë të komplikuara, do të thotë se asnjë s’ia del dot vetëm. Kjo është arsyeja pse për çfarëdo lloj projekti na duhet ndihmë nga të gjithë”

, tha Veliaj.

 Ai theksoi se bamirësia duhet të jetë pjesë e jetës së secilit dhe e kujdo, ndaj dhe ftoi të gjithë ata që kanë mundësi, qofshin individë apo institucione, të bashkëpunojnë me qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës. “U bëj thirrje të gjitha institucioneve që kanë mundësi, mund të jenë shtetërore, mund të jenë private, mund të jenë organizata joqeveritare, sikur secili të marrë përsipër një ngastër të vogël për të qenë solidarë, për të qenë bashkëpunues, për të ndihmuar dhe për të hequr një vakt, do të kemi një vit të ri që Tirana e ka të paprecedentë, plot solidaritet”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

 Veliaj tha se tashmë për Bashkinë e Tiranës sfida është edhe më e madhe, pasi ajo duhet të matet me vetveten dhe punën e saj të një viti më parë dhe jo me atë që kanë bërë të tjerët.

“Gjithmonë besoj se mund të bëjmë akoma më mirë, tani krahasohemi me veten tonë, jo me të tjerët. Kur krahasohemi me veten tonë duhet që çdo vit të mundim veten tonë vjet dhe unë besoj që këtë dhjetor Tirana realisht ka pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm në të katër cepat e saj”,

u shpreh Veliaj.

/tvklan.al