Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kjo reklamë i përket një biznesi të caktuar, e cila është mënyra që shton fitimet në tregti. Në Tiranë ka me mijëra të tilla. E për ta vendosur atë në kënde të ndryshme sipas ligjit të reklamave, paguhet një tarifë. Për një reklamë të zakonshme paguhet 11 mijë lekë të reja për metër katror në vit, ndërsa për ato elektronike, 20 mijë lekë të reja në vit.

Nga Bashkia e Tiranës mësohet, se 60% e reklamave që janë vendosur, nuk kanë marrë lejen e bashkisë. Për të disiplinuar këtë amulli reklamash, që kanë uzurpuar sheshet, e për të rregulluar pamjet, bashkia ka vendosur të gjobisë nga 300-600 mijë lekë të vjetra vetëm për mos pasje licence për reklamë dhe 900 mijë lekë gjobë të tjera për veprimin që ka bërë firma.

Këto para mblidhen nga ndërmarrja e tregjeve dhe taksave, të ardhura që bashkia i përdor për investime, ndërsa urbanistika cakton vendin se ku duhet vendosur reklama. Këshillit bashkiak i lejohet të ndryshojë plus ose minus 20% të tarifës, sipas klasifikimit të vendit. Belinda Ikonomi, drejtore e burimeve ekonomike thotë:

Belinda Ikonomi:- “Meqenëse kemi këtë informacion, që gati 60% e tyre nuk kanë paguar, ne shumë shpejt do të bëjmë një njoftim për ta, në formën e një spoti ndoshta dhe do të vendosim një afat për pagimin e këtyre reklamave. Në qoftë se qytetarët e Tiranës nuk do të paguajnë taksën e reklamës, atëherë ne do të marrim masa”./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti