“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Teatrin Kombëtar i ka dhënë të drejtë Bashkisë së Tiranës, pasi ka lënë në fuqi vendimin nr. 50 të Këshillit Bashkiak të Tiranës për prishjen e godinës”, është kjo deklarata e Bashkisë së Tiranës.

Në një njoftim për mediat, bashkia sqaron se “trupa gjykuese, vendosi që të rrëzojë kërkesën e Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën”.

Më tej shtohet se sipas këtij akt-ekspertimi të bërë nga Instituti i Ndërtimit, godina e Teatrit Kombëtar, e ndërtuar që në vitin 1938, ka dëmtime dhe përkulje në disa zona të soletës, degradim të sipërfaqes dhe materialeve për shkak të cilësisë dhe vjetërsisë, çedime të dherave në pjesën e skenës rrotulluese dhe degradim të bazamentit mbajtës, çka rrezikon aftësinë mbajtëse të tyre.

Akt-ekspertimi i bërë në vitin 2018 nga Instituti i Ndërtimit vlerësonte se kushtet e godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk ishin të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve dhe se ishin jashtë normave të projektimit e shfrytëzimit të godinës.

Sipas Bashkisë së Tiranës “pranimi i kërkesës tjetër të Metës, që lidhet me procedurën e ndërtimit të Teatrit Kombëtar, nuk passjell ndonjë pasojë, pasi vetë Bashkia e Tiranës është tërhequr kohë më parë nga ligji PPP, sepse qeveria ka vendosur ta financojë vetë ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar”.

Ndërkohë qeveria ka akorduar fondet e nevojshme Bashkisë Tiranë për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Vetëm pak ditë më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoj lejen e ndërtimit për nisjen nga puna për godinën e re të Teatrit Kombëtar./tvklan.al