Veliaj: Askush nuk do të mbetet pa strehim

Tirana është qyteti i parë në Ballkan i përzgjedhur nga Banka Europiane e Investimeve për të financuar projektin e Bashkisë mbi banesat sociale. Marrëveshja u nënshkrua nga kryebashkiaku Veliaj dhe drejtori i Bankës Europiane të Investimeve.

Matteo Rivellini: Është një nder të jem këtu, së bashku me kryebashkiakun Veliaj, dhe të firmosim këtë marrëveshje të madhe. Kemi siguruar 2 milionë Euro për asistencë teknike për Bashkinë e Tiranës, që do të përdoren për projektin e parë që do suportojë banesat sociale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryebashkiaku Erion Veliaj: Jam posaçërisht krenar që Tirana është Bashkia e parë në gjithë rajonin tonë që ka këtë raport special. Kanë qenë dy vjet bisedime dhe negociata dhe ju falenderoj shumë që zgjodhët Tiranën.

Veliaj tha se ky program social do shërbejë edhe për të gjithë ata që preken nga projekte zhvillimore të Tiranës.

“Në disa raste, shumë prej punëve që ne bëjmë në Tiranë, edhe ajo që kemi folur për projektin e Lanës, apo dhe tani për projektin e Unazës, krijojnë nevojën për strehim social. Ne kemi një përkushtim, si qeveri dhe si bashki , që të mos lëmë askënd pas. Ne duam edhe modernizimin e Tiranës, edhe strehimin për të gjithë ata që janë në nevojë”.

Bashkia do të vijojë edhe me kreditë e buta, një nga programet më të suksesshme dhe një zgjidhje për mijëra familje.

Tv Klan